Holandë/ Të burgosurit mund të hyjnë e të dalin vetë nga qelia

2 vite më parë

Holandë/ Të burgosurit mund të hyjnë e të dalin vetë nga qelia

Media holandeze “Dutch Review” i ka kushtuar një artikull të burgosurve dhe sistemit më të ri të dënimit të kriminelëve në vend. Në artikull flitet për lirinë më të re që i është ofruar të burgosurve brenda qelive dhe sa i suksesshëm ka rezultuar ky ndryshim.

Autoritetet holandeze, më konkretisht Shërbimi i Institucioneve Gjyqësore (DJI), ka vënë në zbatim një program që përfshin dhjetëra mijëra të burgosur në 19 burgje. Një nga aktivitetet që i mban të zënë rojet e burgut gjatë gjithë ditës, është hapja e mbyllja e dyerve të qelive të ashtuquajtura individuale, sepse gjithmonë është dikush që kërkon të shkojë diku, të jetë pjesë e një klase mësimi apo të kryejë një aktivitet. Në fakt, aq shumë i merr nga koha e tyre ky proces rojeve të burgut, sa që e kanë të pamundur të merren me çështje më të rëndësishme, si mbajtja e burgut në siguri e qetësi të plotë.

Për të rregulluar këtë problem, DJI vendosi të bëjë çelësa për të burgosurit të cilët mund të hyn e të dalin vetë nga qelia. Në këtë mënyrë ata gjithashtu do të sigurohen që askush të mos vjedhë posedimet e vogla që ata kanë.

E besoni apo jo, të burgosurit i qëndrojnë zbatimit të ligjit brenda burgut më shumë nga sa ju mendoni. Sigurisht, që në fillim një proces i tillë është eksperimentuar dhe u vu në zbatim pasi u pa që incidentet që ndodhën ishin shumë të pakta. Duket se të burgosurit janë të kënaqur me “lirinë” e tyre të sapo krijuar.

Deri më tani, eksperimenti ka rezultuar i suksesshëm, rojet ndjejnë më pak presion dhe janë më vigjilentë e po ashtu edhe të burgosurit ndjejnë më shumë liri dhe përgjegjësi, duke qenë më pak të dyshimtë për vjedhjet mes tyre.

Pavarësisht disa përpjekjeve sabotuese, gjërat kanë shkuar mirë për sistemin liberal të burgjeve holandeze. Në tërësi, sistemi i burgjeve hollandeze ka parë disa ndryshime të rëndësishme gjatë viteve të fundit.