Historia shqiptare e Xhorxh Sorosit

3 vite më parë

Historia shqiptare e Xhorxh Sorosit

Vizitat e Xhorxh Soros kanë qenë të rralla në Shqipëri, ndaj detajet më të vogla janë parë me vëmendje nga gazetarët, si tregues i marrëdhënieve me njërin apo tjetrin kah në politikë. Nga një shkrim i botuar në Revistën ABC në vitin 2005, bie në sy distanca mes filantropit dhe Berishës, i sapozgjedhur kryeministër dhe respekti që tregon Edi Rama me dhurimin e Çelësit të qytetit. “Sorosianët” është një term që po përdoret gjerësisht në politikën e ditës në Tiranë, sidomos pas miratimit të reformës në drejtësi. Më poshtë shkrimi i plotë i vitit 2005, i botuar me titullin origjinal:

“Të pathënat e vizitës së Xhorxh Soros”    

“Atëhere… nëse doni mjedis të virgjër, duhet të rrini pa drita”, tha Xhorxh Soros. Qartësia e anglishtes dhe qetësia e shprehjes me të cilën 75-vjeçari gërmëzoi fjalën e fundit, mbolli qetësinë në sallë. Gjithë të pranishmit, nja 50 të rinj që e konsideronin veten me fat qe merrnin pjesë në një bisedë të drejtpërdrejtë me të, po e shijonin takimin e moderuar nga drejtuesi i Mjaft, Erion Veliaj.

Financieri, ndoshta më i pasur i globit, gjeti kohë të bisedojë për mbi dy orë me ca të rinj të OJF-ve në një cep të Ballkanit, i cili për më tepër, po përjetonte një mungesë të theksuar të energjisë elektrike. Soros iu përgjigj pa dorashka pyetjes se sa mund ta dëmtojë florën shqiptare, një termocentral në bregdet. “Ju duhet të zgjidhni midis virgjërisë së mjedisit dhe dritave. Në të gjithë botën ndërtohen termocentrale, s’ka pse mos të ndërtohen edhe këtu”, argumentoi ai.

Gjatë qëndrimi në Shqipëri, financieri me origjinë hungareze foli gjerë e gjatë për dritat, korrupsionin dhe luftën në Irak. Formalisht, vizita e tij kishte një qëllim, të merrte “ok”-in e e qeverisë shqiptare për mbështetjen e nismës rajonale “Dekada e romëve”.

Para takimit “tet a tet’” me kryeministrin Berisha ai u tha të tijve: Nuk dua kamera, as gazetarë. Nuk dua që ai ta përdorë imazhin tim për të përmirësuar imazhin e tij.

Në fakt, Xhorxh Soros nuk i kishte harruar akuzat e qeverisjes demokratike në vitin famëkeq ’97 për implikim të fondacionit të tij, në trazirat që sollën rotacionin e pushtetit. Biseda Soros-Berisha ishte e ftohtë dhe nuk zgjati më shumë se 35 minuta. Disa fjalë për votën plebishitare të 3 korrikut, afera të presupozuara të Fatos Nano dhe në fund një këshillë: lufta ndaj korrupsionit, nuk bëhet duke shkelur ligjin! Kaq. Ndoshta Berisha do ta ketë pasur po aq të vështirë t’i shtrëngojë dorën ish-armikut të tij, sa ç’e pati kur priti në zyrë dy vite më parë, Nikolas Gaxojanis.

Gjatë vizitës në bashkinë e kryeqytetit, Sorosi nuk iu fsheh kamerave, përkundrazi. Me shumë kenaqësi ai dha buzëqeshje kortezie për blicët e aparateve tek merrte “çelësin” e përhershëm që Edi Rama u rezervon VIP-ëve që takon.

Mëngjesin e asaj dite, këshilltarët e presidentit Moisiu ishin interesuar pranë delegacionit që e shoqëronte: A është planifikuar një takim me presidentin? Kur ia thanë këtë, Soros psherëtiu: Më vjen keq, nuk mund ta takoj. Filantropi kishte pasur një eksperiencë “të hidhur” me presidentin. Kushedi pse nuk i kishte pëlqyer, kryetari i shqipeve, në atë takim të shpejtë që kishte patur në hollin e një aeroporti të Perëndimit. Miqtë e tij pohuan me gjysmë zëri se Soros ishte bezdisur nga kërkesat e shumta të presidentit. Por, ndoshta, ai thjesht nuk kishte patur asnjëherë simpati për ushtarakët.

Në një konferencë për mediat ai shpalli tranformimin e Fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë” në një rrjet OJF-sh me tetë anëtarë. “Shqipëria dhe Fondacioni “Soros” po ecën mirë ndaj ne vendosëm, shdërrimin në rrjet institucionesh, për të vazhduar kontributin tonë në të tjera fusha”, tha Soros. Ai argumentoi se ky transformim i erdhi si rezultat i nevojës “për t’u përshtatur rrethanave të reja” të shoqërisë civile, por e vërteta ishte krejt ndryshe.

Në një ambjent tjetër, ai pohoi se interesi për Shqipërinë dhe Ballkanin në përgjithësi nuk ishte më ai i viteve ’90. “Më bëhet qejfi që ju e kuptoni se vëmendja ime personale është shtrirë diku tjetër, në lindjën e Largët dhe në Amerikën Jugore”, iu përgjigj ai një pyetjeje naive nëse kjo ishte e vërtetë. Sipas filantropit 75-vjeçar, kjo anë e botës nuk kishte më nevojë për ndihmën e tij. Errësira e ndërtesave rrotull hotelit në qendër të Tiranës ku ai po qëndronte, sikur ulërinte për të kundërtën.

“Gjergj Kastrioti” në gjoksin e Sorosit

 

Fondacioni “Soros” u themelua në Shqipëri në vitin 1992 .Gjatë 13 viteve në Shqipëri, Fondacioni ka investuar 45 milionë USD në administratë publike, drejtësi, arsim, shoqëri civile, shëndet publik, reformat ekonomike, kulturë, etj. Soros mban mjaft tituj nderi e çmime të dhëna nga qendra akademike te mirenjohura si New School for Social Research (Neë York) dhe Universiteti i Oxfordit më 1980, nga Universiteti Ekonomik i Budapesit dhe Universiteti i Yales në SHBA më1991. Më 1995 Universiteti i Bolonjes i akordoi çmimin më të lartë të tij Doktor Honoris Causa për nxitjen e Shoqërisë së Hapur nëpër botë. Në shtator të vitit 1999 Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani i akordoi Xhorxh Sorosit për kontributin e tij në nxitjen e vlerave të shoqërisë së hapur në Shqipëri urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

(Botuar në gazetën ABC/ 2005- Marr nga Lapsi.al)