Hetuesia s’e merr në pyetje Veselin, edhe pse të dyshuarit për fajde marrin para në emër të tij

11 muaj më parë

Hetuesia s’e merr në pyetje Veselin, edhe pse të dyshuarit për fajde marrin para në emër të tij

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, nuk është intervistuar nga hetuesia në cilësinë e viktimës apo dëshmitarit e as në ndonjë cilësi tjetër, edhe pse emri i tij përmendet në shumë video ku të përfshirë janë edhe dy të dyshuar të grupit që hetuesia pretendon se janë marrë me fajde.

Videoincizimet ku përmendën disa zyrtarë të PDK-së janë duke u endur në Prokurorinë e Shtetit qysh prej vitit 2013. Këto prova i kanë poseduar disa hetues e prokurorë, shkruan sot Koha Ditore. Asnjëri nga ta nuk e ka intervistuar Veselin për përmendjen e emrit të tij në incizime.

Dy prokurori janë marrë me rastin, ndërsa incizimet me vite kanë kaluar nëpër duart e hetuesve policorë.

Gazeta i ka drejtuar pyetje Policisë së Kosovës se a është intervistuar dhe nëse jo, pse nuk është intervistuar Veseli rreth kësaj çështjeje, por ata nuk janë përgjigjur. Në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë thënë se përgjigjja duhet të kërkohet në sistemin e drejtësisë.

Në një prononcim për gazetën kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se nuk e di nëse është intervistuar ose jo Veseli në çfarëdo cilësie.