Hendbollistja Albana Arifi fiton të drejtën të luajë për Kosovën

3 muaj më parë

Hendbollistja Albana Arifi fiton të drejtën të luajë për Kosovën

Përfaqësueses së femrave të Kosovës në hendboll, i shtohet edhe një yll.

Bëhet fjalë për ish-hendbollisten e Shpresave të Suedisë, hendbollisten Albana Arifi që pas pritjes trevjeçare, e ka fituar zyrtarisht të drejtën të luajë për Kosovën.

Ylli i hendbollit për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës është shprehur e entuziazmuar që më në fund po e fiton të drejtën e paraqitjes në ndeshje zyrtare me Kosovën.

Me Arifin, do të rritet dukshëm edhe niveli i ekipit përfaqësues, transmeton KTV.

Albana në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës kishte marrë vendimin që të luajë për Kosovën. Me kombëtaren tonë është paraqitur në një miqësore në Luksemburg, ku shkëlqeu duke shënuar 14 gola.

“Po ndihem shumë mirë që kjo periudhë e gjatë e pritjes po përfundon. Kanë qenë muaj shumë të gjatë dhe mezi po pres që të fillojë të luaj me Kosovën. Sukseset që kam pasur me Suedinë janë të rëndësishme, por për mua shumë herë më e rëndësishme është që do të jam në gjendje të jap kontributin tim në atë që po e ndërtojmë në Kosovë. Ka vlerë shumë të madhe për mua kjo dhe po ndihem shumë mirë për këtë”, ka thënë Albana Arifi.

Hendbollistja 22-vjeçare e skuadrës suedeze, Lugi, me hendboll merret që 16 vjet dhe përvojën e fituar tani do ta vërë në shërbim të Kosovës. Vashat e Kosovës ndeshjet e radhës i luajnë në fund të shtatorit.

Në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”, Kosova është në grup me Gjermaninë, Slloveninë e Bjellorusinë. Më 26 shtator luhet ndeshja Sllovenia – Kosova, ndërsa më 29 shtator është ndeshja Kosova – Gjermania.