Haradinaj-Stublla flet në telefon me homologun izraelit, e quan “telefonatë historike”

3 javë më parë

Haradinaj-Stublla flet në telefon me homologun izraelit, e quan “telefonatë historike”

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun izraelit, Gabriel Ashkenazi, me të cilin ka biseduar mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovës dhe Izraelit, shkruan AktivPress.

Haradinaj-Stublla e ka cilësuar këtë bisedë telefonike si historike.

“Sot pata telefonatën e parë historike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit Z. Gabriel Ashkenazi, e cila shënon një hap të rëndësishëm përpara në krijimin e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit”, ka thënë ajo.

“Zhvilluam diskutime mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovës dhe Izraelit dhe ndikimin e madh që ka kjo marrëdhënie për të dy vendet tona, e ndërtuar mbi bazat e miqësisë së jashtëzakonshme midis popujve tanë paqedashës”.

“E sigurova homologun tim izraelit se Kosova është e përkushtuar me kapacitet të plotë për të ndërtuar bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke nderuar gjithashtu mikun dhe aleatin tonë të madh të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar Haradinaj.

Ajo ka thënë se i ka konfirmuar Ashkenazit edhe qëllimin për të hapur Ambasadën në Jeruzalem.

“Pranova ftesën e Z. Ashkenazi për të vizituar Izraelin, dhe së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje”, ka bërë me dije Haradinaj-Stublla.

AKTIV PRESS