Haradinaj në Suharekë: Është vit i ekonomisë, ta ruajmë fokusimin tek prodhimi

1 muaj më parë

Haradinaj në Suharekë: Është vit i ekonomisë, ta ruajmë fokusimin tek prodhimi

“Është vit i ekonomisë dhe është mirë që ta ruajmë fokusimin e prodhimit, kapaciteteve ekonomike”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë një vizite pune që zhvilloi sot në Komunën e Suharekës, ku u takua me kryetarin e saj, Bali Muharremaj, transmeton AktivPress.

Duke iu uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve të Suharekës, Hardinaj tha se edhe në këtë komunë ka një program të mirë për ta, siç është sigurimi i parkingjeve, zgjatja e orareve të punës, shtimi i personelit.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se me kryeministrin sot do të vizitojnë bizneset, pasi që këtë vit do të ketë një risi, ajo e zonës industriale, një nevojë kjo për këtë komunë.

“Momentalisht numërojmë 2497 biznese. I kemi 160 prodhues dhe do të vazhdojmë t’iu japim kushte më të mira atyre”, tha kryetari Muharremaj, duke falënderuar kryeministrin për përkrahjen dhënë Komunës së Suharekës .

Kryeministri, gjatë vizitës në Komunën e Suharekës, vizitoi edhe fabrikën e këpucëve “SOLID”, me ç’rast tha se kjo është një storie e suksesit, është një prodhim brend, që i besojnë tregjet më të avancuara, si dhe një prodhim që ka fituar besimin edhe të konsumatorëve të vendit.

Po ashtu, një vizitë, kryeministri Haradinaj e bëri edhe në fabrikën e ngjyrave për industrinë e ndërtimit “Graniti”, sikurse edhe në aktivitetin biznesor “Etika”, përfaqësues gjeneral për regjion i Kronofloring-ut që prodhon produkte për dysheme nga prodhuesi gjerman./AktivPress/