Haradinaj merr mbështetje nga përfaqësuesi special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor

2 muaj më parë

Haradinaj merr mbështetje nga përfaqësuesi special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Arne Sannes Bjørnstad, përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë – Departamenti i Evropës Juglindore.

Në këtë takim kryeministri në detyrë Haradinaj e ka njoftuar përfaqësuesin Special Bjørnstad, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë, duke theksuar faktin se Kosova me nivelin e treguar në zgjedhjet e 6 tetorit, në një proces kaq demokratik, fer dhe të drejtë, ka dëshmuar që është partner i Evropë, me të drejtë i takon kësaj familje të madhe dhe në këtë rrugëtim kërkon mbështetjen e Norvegjisë.

Në këtë takim, është biseduar edhe për të arriturat e përgjithshme politike dhe ekonomike në vend, fuqizimin e rendit dhe ligjit, si dhe për përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane, derisa kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, pa kushte, si proces i rëndësishëm për njohje reciproke, në kufijtë ekzistues dhe stabilitet në rajon.

“Kosova dhe Norvegjia kanë ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera dhe ky bashkëpunim yni do të vazhdojë edhe në të ardhmen në fusha të ndryshme si, ekonomi, arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar, për proceset evropiane, si dhe avancimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha shtetet fqinje.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, më tej, theksoi faktin se institucionet e Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, e që padrejtësisht qytetarëve tanë po i mohohet e drejta për të lëvizur lirshëm.

Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë – Departamenti i Evropës Juglindore, Arne Sannes Bjørnstad, falënderoi kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritje, duke shprehur përkrahjen e mëtejme të Norvegjisë në shumë fusha, me theks të veçantë thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Në këtë takim, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.