Haradinaj kundërshton vendimin e Hotit për shuarjen e Task-Forcës kundër korrupsionit

1 muaj më parë

Haradinaj kundërshton vendimin e Hotit për shuarjen e Task-Forcës kundër korrupsionit

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që është partneri kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, ka dalur kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.

“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task-forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, një javë më parë vendosi ta mbyll Task-Forcën, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të mërkurën në një konferencë për media ka thënë se në kohën kur është marrë vendimi për themelimin e këtij departamenti, ka qenë vendim anti-kushtetues.

Por, partneri i tij kryesor qeveritar, po e cilëson këtë vendim të pamenduar mirë.

“Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i atypëratyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se ‘politika nuk duhet të përzihet në drejtësi’.

“Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Departamenti Special Anti-Korrupsion, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion”, ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.