Haradinaj: Koha për unitet, s’është momenti për hedhje gurësh mbi njëri-tjetrin

3 muaj më parë

Haradinaj: Koha për unitet, s’është momenti për hedhje gurësh mbi njëri-tjetrin

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për rezolutën e propozuar nga deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi-Krasniqi, “për mbrojtjen e vlerave të luftës”.

Haradinaj ka thënë se tash më shumë se kurrë është e nevojshme mbrojtja e vlerave të luftës, kur ato po cenohen nga Gjykata Speciale.

“Kam qenë kundër dhe jam kundër kësaj gjykate. Sot nuk mendoj që është momenti të hedhim gurë ndaj njëri-tjetrit se kush ka faj më shumë”.

Deputeti dhe shefi i deputetëve të AAK-së tha gjithashtu se Specialja po bën shumë shkelje.

“Publikimi i një letre politike nga Specialja është shkelje e llojit të vet. Të gjithë ata që kanë votuar kundër e kanë pasë mirë, të gjithë ata që kanë votuar për, po e shohin që e kanë pasë gabim. Duhet t’iu dalim zot njerëzve që kanë nevojë sot”.

“Të gjithë ata që dëshirojnë sot të fitojnë poena iu them se po dëshirojnë të fitojnë fuqi politike në kurriz të të tjerëve. Ta votojmë këtë rezolutë dhe të dëshmojmë që jemi kundër Serbisë sepse drejtpërdrejtë jemi kundër Serbisë”.