Haradinaj e nderon Clarkun dhe bashkëshorten e tij me nga një dhuratë

2 javë më parë

Haradinaj e nderon Clarkun dhe bashkëshorten e tij me nga një dhuratë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim gjeneralin Wesley Clark, ish-komandant suprem i forcave të bashkuara të NATO-s për Evropë.

Haradinaj ka theksuar kujtimin që populli i Kosovës ruan për gjeneralin amerikan për angazhimin e tij gjatë luftës në ndalimin e operacioneve ushtarake serbe në Kosovë, për ndalimin e vrasjeve dhe dëbimit të qytetarëve të Kosovës dhe për kthimin e tyre në vatrat e veta.

“Intervenimi i NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë akte që çdo qytetarë i Kosovës i kujton dhe i respekton me nderim të madh. Në këtë kuadër gjenerali Clark është portretizuar në kujtesën tonë si njeriu i shpresës dhe shpëtimit të madh të popullit tonë”, ka thënë Haradinaj, transmeton AktivPress.

Në takim me gjeneralin Clark, Haradinaj tha se Kosova sot, ka arritur të çoj përpara agjendën euro-atlantike, ka forcuar sistemin e saj të sigurisë dhe ligjit dhe po punon në vazhdimësi që të jetë partner i aleatëve tanë strategjik, duke falënderuar për angazhimin e ri, në projekte për zhvillim ekonomik dhe mundësin e investimeve në Kosovë.

“NATO-ja e ka vendin e përhershëm në Kosovë dhe Kosova në NATO dhe Ju Gjeneral Clark do të mbeteni gjithmonë në kujtesën tonë si njeriu i shpresës dhe shpëtimit”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke nderuar kujtimin dhe respektin, kryeministri Haradinaj gjeneralit Clark i ka dhuruar Pullën Postare, të cilën Posta e Kosovës e editoi me portretin e gjeneralit Wesley Clark në njëzetvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Gjenerali Wesley Clark e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj dhe ka shprehur nderimin dhe kujtimin e përhershëm për Kosovën dhe popullin e saj.

Në shenjë mirënjohje dhe respekti Kryeministri Haradinaj bashkëshortes së Gjeneralit Clark, i ka dhuroi librin që flet për historinë e Kosovës./AktivPress/