Hapja e arkivave të UÇK-së, Musliu thotë se Kurti është në një linjë me kriminelët serbë

5 ditë më parë

Hapja e arkivave të UÇK-së, Musliu thotë se Kurti është në një linjë me kriminelët serbë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka quajtur Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, demagog e tradhtar, pas deklaratës së tij pro hapjes e arkivave të UÇK’së, raporton Express

Musliu ka shkruar në Facebook se Kurti me kërkesën e tij për hapjen e arkivave të UÇK’së, është rreshtuar në linjë të njëjtë me kriminelët e Serbisë.

“Ky demagogu, që gënjeu një pjesë të popullit brenda dhe jashtë vendit, çdo ditë po e shfaqë fytyrën e vet të vërtetë. Çdo ditë po e shohim hipokrizinë, narcizmin, gënjeshtarin dhe së fundmi edhe tradhtarin e këtij vendi. Me kërkesën e tij për hapjen e arkivave të UÇK-së në linjën e njëjtë me kriminelet serb, Albini shiti edhe shpresën e fundit të familjarëve për të gjetur të dashurit e tyre. E ju që verbërisht kërkuat ndryshimin, tani ja ku e keni; ndryshimi që ju e sollët e ka vetëm një emër: tradhti dhe shkatërrim!”, ka shkruar Musliu.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkrahur idenë që të hapen arkivat e UÇK-së. Teksa ka folur për këtë, Kurti tha se me hapjen e arkivave, do të ndihmohej të gjendeshin të pagjeturit.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serb por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, ka deklaruar ai.

Shefi i Qeverisë ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka çfarë të fsheh, pasi sipas tij, nga përfundimi i luftës, Kosova ka qenë nën administrimit e ndërkombëtarëve.

“Kosova siç e dini që nga viti 1999 e këndej, kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, pra vend më transparent e më të hapur se Kosova nuk ka, e ajo që duhet të hapet është Serbia, sepse në katër luftëra që Serbia i ka bërë, gjenocidi që i ka bërë në Bosnjë e Kosovë, duhet të zbardhet e vërteta, që të dihen urdhërdhënësit”, ka deklaruar Kurti.