Hapat e vështirë përpara

3 muaj më parë

Hapat e vështirë përpara

Shaip Loshi, gati nja 20 vjet më parë ishte pacient i Klinës së Ortoprotetikës.

“Protezen e pare edhe t’trete e kom marr ketu..tjerat jashtë…” , thotë ai në një dokumentar të përgatitur nga Koha Vision (KTV).

Loshi është veteran i luftës që kishte shërbyer në Zonën e Drenicës, saktësisht në Brigadën 112 dhe shkaku i një plumbi, atij është dashur t’i amputohej këmba e djathtë.

Megjithëse ka një shkallë invaliditeti prej 80%, kur i ishte dhënë rasti të punonte në këtë profesion, nuk kishte refuzuar, transmeton AktivPress.

Florim Kryeziu asnjëherë nuk ka dyshime për vendimin ndoshta më të rëndësishëm të jetës së tij deri tani: kthimin nga Italia për të veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Atëherë 17-vjeçar, pasi kishte bërë trajnime bazike në Shqipëri, ishte dërguar për të shërbyer në Koshare.

Diku rreth janarit të vitit 1999, kishte mbërritur në zonën e luftimeve, e ishte plagosur më 11 maj.

Mëngjesin e asaj dite, predhat kishin filluar të binin afër njëres prej depove të municionit dhe Florimi kujton që bashkëluftëtarë i ishin plagosur e i ishin vrarë.

“Nuk e di se sa ka qenë larg, por predha më ka rënë shumë afër, sa muj me thon direkt në këmbë. E ka qelë një gropë shumë t’madhe. Pjesa më e madhe e trupit më është mbulu me dhe erdh një shok me më tërheq, na ra një predhë tjetër afër, e u plagos edhe ai. I thash largoju ti, ka fillu të tërhiqet, pas mas 5 minutave, një shok tjetër e pash, Enver Krasniqin, erdh më tërhoqi prej aty. Në një gur, më ka pshtet. I kom thon ik, se kish edhe helm që kishin gju e aj nuk kish maskë. U nis po mas pak u plagos. dikur e mora vet, e hoqa kpucën edhe e lidha kambën, u nal pak gjaku. Mas pak kohe, erdhën do shokë, me do druna me do qebe, më qitën në qebe, fillun me më tërhek teposht. Kur dal ma poshtë, të ndjerin, komandantin Ali Hasi. Tha djema, bonu të fortë, se luftë o kjo. Edhe bërtitke, me i tërheq të plagosurit e të vrarët. Po edhe aj ishte i plagosun. Po ish i fuqishëm. Si ka dal edhe ushtari i fundit i plagosun prej atij vendi, …komandanti Ali Hasi ka ndërru jetë”, ka thënë Kryeziu.

Nga zona e luftës, ishte dërguar fillimisht në spitalin në Bajram Curr, më vonë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku e kishte marrë vesh se i ishte amputuar këmba, për t’u transferuar në Milano për trajtim të mëtejmë, bashkë me 17 ushtarë të tjerë.

Atje kishte festuar ditëlindjen e 18-të…dhe për herë të parë, i ishte vendosur një protezë për këmbën që i ishte amputuar.

Në Kosovë ishte kthyer vetëm në shtator, disa muaj pasi vendi ishte çliruar më 1999.

Emri i Florim Kryeziut, gjendet i treti në listën e Shoqatës së Invalidëve të Luftës, dega në Prizren, si e vetmja degë që i ka të publikuar emrat e invalidëve që janë pjesë e saj, si edhe shkallën e invaliditetit të tyre.

Megjithatë, në këtë listë figurojnë vetëm emrat e 164 invalidë, por ajo nuk është përditësuar tash e më shumë se 5 vjet.

Kryetari i kësaj dege, Burim Shala, që njëherësh është edhe anëtar në cilësinë e vëzhguesit në Komisionin Mjekësor që vlerëson dhe cakton shkallën e invaliditetit, bën të ditur se numri i veteranëve në këtë degë është rritur.

“Në bazë të dokumenteve që i posedojmë ne, momentalisht i kemi 242 anëtarë, i kemi pas 211, po tash na janë shtuar anëtarët e rinj. I kemi 242 anëtarë, shumica e këtyre anëtarëve e kanë shkallën e invaliditetit prej prej 20-30%, dmth rrogën e marrin 225 euro”, ka thënë Shala.

Komisioni, nga vitit 2018 kur ka filluar punën, ka shqyrtuar mijëra aplikacione.

“Në atë komision, si vëzhgues, jam prej majit të vitit 2018, në atë komision, sipas informatave, i janë nënshtruar rreth 3000 invalid, diku 800 e kanë kalu shkallën 20%”.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave, tregojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të invalidëve brenda vitit 2018.

Në janar të 2018-s, ishin evidentuar 3409 invalidë të luftës, e në muajin e fundit të atij viti, numri ishte për 740 më i madh, në total 4149.

Shoqatat e invalidëve, pas luftës, pretendonin se nuk ka më shumë se 2 mijë invalidë, megjithëse pa të dhëna të sakta dhe pa qenë në gjendje t’i kenë të anëtarësuar të gjithë të prekurit.

Në vendimin e qeverisë në fillim të vitit 2010, me të cilin atëherë ishin dyfishuar beneficionet e invalidëve të luftës, evidentoheshin 2935 invalidë të luftës.

2271 prej tyre, ishin me shkallë invaliditeti ndërmjet 20 e 40%.

Vetëm 38 me shkallë invaliditeti nga 71 deri në 80%.

E, 75 veteranë kishin këtë shkallë prej 81 deri në 100%.

Me 4149 invalidë të luftës aktualisht, rezulton se nga ajo kohë, numri është rritur për 1214.

Shala shpjegon shkaqet që sipas tij, tani 20 vjet pas luftës po rritet numri i invalidëve.

“Gjithmonë dëgjojmë në debate se pse tash po shtohen. Duke e marrë parasysh që këta invalidë kanë apliku edhe ma heret, psh në vitin 2007 ose 2008, po ka qenë i pamundshëm në atë kohë, sepse, TMK-ja në atë kohë i ka leshu dokumentet, dhe mas transformimit, nuk janë leshu dokumentet, dhe me automatizëm janë refuzu të gjithë. Tash kur është bërë komisioni, janë nënshtru të gjithë. Kjo nuk do të thotë se janë invalid të ri, po janë invalidë që janë plagos në luftë janë sëmurë në luftë apo jon lëndu në luftë. Tani dikujt ndoshta iu është bërë e padrejtë, ose dikush e ka marrë me të padrejtë, ne si Shoqata kemi ankesa shumë, në atë kuptimin na është bërë e padrejtë, por ne nuk jemi vendim marrës, jemi vetëm vëzhgues, dhe edhe mjekët atje bazohen në dokumentete që i posedojnë, sepse mjekët nuk kanë të drejtë të hulumtojnë a kanë qenë ushtarë apo jo”, ka thënë Shala.

Megjithatë, një tjetër shpjegim ka Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës në nivel vendi.

Sipas tij, hyrja në fuqi e Ligjit për Vlerat e Luftës, ka ndryshuar gjendjen.

“Numri që është rrit mas shumti, është rrit mas fillimit të Ligjit, implementimit të Ligjit për kategoritë e luftës, invalidë ..2012…ku në të hynë …në fillim kanë qenë vetëm ata të cilët kanë qenë të plagosur, në fillim kanë qenë te …deri në 2012, më duket 2100 vetë, dhe mas 2012 është rrit, se në të kanë hy edhe ata të cilët janë lëndu edhe janë smu n’luftë, dhe sot për momentin janë afër 4 mijë e …200 vetë”, ka thënë Shurdhaj.

Burim Përteshi me familjen e tij nuk kishin pritur shumë pas çlirimit të Kosovës për t’u kthyer në shtëpi, dhe më 17 qershor kishin mbërritur në Duhël të Suharekës, nga Shqipëria, ku kishin qëndruar si refugjatë.

Dy ditë më vonë, atij nuk i ishte lejuar të ishte prezent në shtëpinë e xhaxhait të tij në fshatin Dragaçinë, sepse ishte shumë i ri për të parë atë që po ndodhte aty.

“N’Dragaçinë, axhën edhe 10 vetë i kan gju n’bunar. Edhe qat ditë, sa u kon tu punu KFOR-i për me i nxjerr trupat e tyne prej bunarit, kemi shku me i kshyr si fmi me pa çka po ndodh aty. Edhe prej atyhit na kan përzon se s’na kan lon me kshyr se thanë jeni shumë t’ri, nuk bon me kshyr ksi sene”, ka thënë Përteshi.

Nga një zonë e ndaluar, po atë ditë, me dy bashkëmoshatarë, kishin mbërritur në një tjetër zonë që do të duhej të ishte gjithashtu e ndaluar.

“Me dy kusheri t’mi, kemi dal ktu n’Qafë të Duhlës, me kshyr se çka ka ndodh, si fmi 13 vjeçar, s’jemi kon shumë të informum për mina e …veç kemi dal me kshyr NATO çka ka bo….”, ka shtuar ai. “At ditë, une e kom gjet ni kaset-bombë, e kom marr e kom gjuajt nja 2-3 metra edhe ka shpërthy…në Spital të Prizrenit ma kan amputu komën…1 muj kom ec me shtaga”.

Përteshi është një prej afër 1800 invalidëve civilë që e kishin pësuar gjatë ose pas luftës, nga incidente të ngjashme me atë që i ka ndodhur atij, me mjete të pashpërthyera ose nga rënia në mina.

Kompensimi që ai merr, si invalid civil i luftës, me shkallë invaliditeti prej 90 % është vetëm 152 euro.

“Këto t’mjaftueshme nuk jon hiq. Se tash me llogarit çdo dy vjet, qiky silikon kushton 1000 euro, nesër me u prish ku mi marr? Ku mi marr me 152 euro? Ose duhet me hi kredit, ose me ja lyp dikujna. Kjo osht veç me thon pension …me thon që jem diku, prishet proteza e di ku drejtona. Ama edhe pensioni i ulët, edhe puna e protezës kërku hiq, nuk e di qysh funksionon”, ka thënë ai.

Në Komunën e Suharekës, raste të tilla janë evidentuar 10, kryesisht të moshës së re.

Për dallimet e theksuara në beneficione, flet edhe Rexhep Kuçi, që drejton organizatën Handikos në këtë komunë.

“Jeta e tyre është e mundimshme me protezë, kanë nevojë për përkrahje nga institucionet. Nga handakos bashke me qendrën ortoprotetike, kemi organizu trajnime se si mirëmbahen protezat, fashimin e cungelit, megjithatë, mbetet problem kostoja e ‘silikonit’ që është mjaft i shtrejt, dhe për buxhetin e tyre dhe vlerën e kompensimit që e marrin nga shoqëria, për mendimin tim është pak e ulët në raport me të plagosurit e tjerë që ju ka ndodh direkt në luftë”, ka thënë Kuçi.

Me legjislacionin në fuqi, këto janë beneficionet për invalidët e luftës dhe invalidët civilë.

Invalidët e Luftës

Invalidi me dëmtim trupor mbi 80% 448.13 €

Invalidi me dëmtim trupor prej 71- 80% 412.50 €

Invalidi me dëmtim trupor prej 61- 70% 393.75 €

Invalidi me dëmtim trupor prej 51- 60% 375.00 €

Invalidi me dëmtim trupor prej 41 -50% 356.25 €

Invalidi me dëmtim trupor prej 31- 40% 318.75 €

Invalidi me dëmtim trupor prej 20 -30% 225.00 €

Invalidët Civil të Luftës

Invalidi me dëmtim trupor mbi 80% 152.50 €

Invalidi me dëmtim trupor prej 61- 80% 136.25 €

Invalidi me dëmtim trupor prej 40- 60% 120.00 €

Invalidët e luftës me shkallën më të ulët të invaliditetit, gëzojnë 72.5 euro më shumë se invalidët civilë, me shkallën më të lartë të invaliditetit.

Invalid i luftës me dëmtim trupor prej 20 -30% 225.00 €

Invalid civil me dëmtim trupor mbi 80% 152.50 €

“Ka dallime sa i përket të drejtave dhe benificioneve sa i përket invalidëve të luftës në krahasim me ata invalidë civil por ato janë të precizuara me ligj dhe ne si Ministri jemi të obliguar t’i zbatojmë. Unë shpesh herë shpreh keqardhjen time për një sërë kërkesash për invalidë civilë që nuk i kanë të njëjta privilegje qysh i kanë invalidëtë e luftës, por megjithatë janë dispozita ligjore që ne nuk mund të dalim përtej saj”, ka thënë Skender Reçica, ministër në MPMS-së.

“Natyrisht me ligjin gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar, duhet të kujdesemi që të nxjerrim një dispozitë të qartë, që qytetarët me një gjendje shëndetësore të njëjtë, për gjendjen shëndetësore që e kanë, të trajtohen mbi bazën e gjendjes shëndetësore. Ndërsa për mënyrën se si ka ardh’ deri te gjendja shëndetësore e tij, natyrisht se nuk e ka të drejtën që invalidëve të luftës, t’ua mohoj meritën e të drejtën e tyre. Askush s’ka të drejt që të mohoj një të drejtë të tyre që në kohën më të vështirë, ata janë vënë në shërbim të vendit. Dhe me siguri falë angazhimit të tyre në atë kohë, ata janë në një gjendje jo të mirë shëndetësore, dhe aftësia e tyre nuk ëshët qysh ka qenë dhe natyrisht ne kemi obligime morale e shtetërore ndaj atyre kategorive.”

Në koncept dokumentin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për rregullimin dhe menaxhimin e pensioneve, janë evidentuar një sërë rastesh ku kategori të caktuara trajtohen ndryshme.

“Mungesa e kritereve të qarta të përcaktuar në kornizën ligjore aktuale rreth paaftësisë së mbetur në punë dhe mostrajtimi i barabartë i kategorive të caktuara rreth kësaj, është evidente. Sipas ligjit për invalidet e luftës fillimisht, është caktuar kategorizimi i shkallës së invaliditetit dhe shuma e pensioneve gjersa në ligjet tjera që trajtojnë paaftësinë, nuk është rregulluar. E dyta, në këtë ligj, shkalla e invaliditetit fillon të paguhet prej shkallës së 21% të dëmtimit trupor gjersa për kategoritë tjera kompenzimi apo pensioni paguhet vetem kur shpallen të paaftë plotësisht për punë nga Komisioni Mediko Social. Kjo vjen në shprehje edhe për personat kur lëndohen në punë, pensioni i invaliditetit të punës paguhet vetëm kur paaftësia është 100% dhe shuma është e njëjtë me pensionin për paaftësi të përhershme. Dallimet ligjore rreth pensionit te kategorive te invalidëve të luftës, dhe kategorive tjera, është shumë i thellë. Një invalid i luftës me 21 % të shkallës së invaliditeti, mer pension 180 euor gjersa një person me aftësi të kufizuar me shkallë të invalidteti 100% merr pension 75 euro”, thuhet në këtë dokument.

Një tjetër problematikë me të cilën është ballafaquar kjo ministri, është edhe fenomeni i pensioneve të dyfishta, që ka ardhur si rezultat i paqartësive në legjislacion.

“Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, Neni 5, paragrafi 1.4 thotë që përfituesit e pensioneve sipas paragrafit 1.1, 1.2 dhe 1.3 të këtij neni, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni tjetër nga skema të tjera pensionale të zbatueshme në Kosovë, përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë ligj. Ligji për pensionin e FSK-së, Neni 5, paragrafi 3 thotë se “Përfituesit që kanë të drejtën e pensionit të FSK-së të paraparë me këtë ligj duhet të zgjedhin njërin nga përfitimet e mëposhtme: pensionin që u takon me këtë ligji ose përfitime të tjera të parapara me ligje të tjera në fuqi”. Edhe pse këto nene janë shumë të qarta, deri në vitin 2015 mijëra individë kanë marrë më shumë se një pension”. 

Në hulumtimin e organizatës INDEP, shtrohen edhe pikëpyetje të tjera që vënë në pah dallimet e skajshme, që lidhen me shkallën e invaliditetit dhe rastet në të ardhmen.

Me Ligjin e Vlerave të Luftës, paaftësia paguhet nga 20% e lart. Sipas këtij ligji, paaftësia e 20% paguhet tre herë më shumë se 100% e paaftësisë me Ligjin për paaftësinë e përhershme. Pensioni i invaliditetit të punës paguhet vetëm kur paaftësia është 100% dhe shuma është e njëjtë me pensionin për paaftësi të përhershme, nuk e merr parasysh kontributin e paguar ose pagën para se të bëhet i paaftë. Kjo çon më tej në çështjen e radhës, çfarë ndodh me individët që kanë aksident në punë ose për shkak të sëmundjes profesionale kanë paaftësi prej 20%, 40%, 50% dhe më tej. Sipas ligjit aktual ata nuk marrin pothuajse asgjë në afat të gjatë; ata do ta humbasin punën dhe nuk do të kenë fare të ardhura.

Derisa Ministria që udhëheq Reçica po synonte të reformonte sistemin pensional, siç ishte synuar edhe nga pararendës të tij, reforma i kaloi në kompetencë parlamentit.

“Është votuar një komision i cili ka marrë mandatin dhe une ju bëjë ftesë që të fillojnë punën më intensive në drejtim të hartimti të kodit pensional që për mendim tim është reformë e komplet sistemit pensional dhe po përsëris për të dytën herë ju bëjë ftesë që ta kenë në konsideratë dokumentin që e kemi hartuar ne, sepse është një dokument u përgjigjet rrethanave të kohës”, thotë Reçica.

Suhareka, në vitet e para të pasluftës, në shtetin e Austrisë, ishin dërguar një grup fëmijësh që kishin nevojë për proteza.

Por, Rexhep Kuçin, e kishte befasuar mendimi i një protetisti austriak, për një protezë që ishte prodhuar në Kosovë.

“Ne kemi pas një fat të mirë që me CIMIK-un austriak që kanë vepru në regjionin tonë, në Grazz të Austrisë kemi shku për 12 vjet rresh me një grup fëmijësh me aftësi të kufizuara, dhe ata kanë përfitu proteza, bile edhe të duarve, që nuk kanë has në mina por lëndime të tjera, por edhe raste që kanë has në mina, u është punu proteza në Kosovë, dhe protetisti në Graz që ka qenë një protetist me nam, kur e ka pa protezën që është punu në Qendrën Protetike të Kosovës, gojarisht më ka thënë z:Kuçi, kjo është pefekte, por megjithatë masi keni ardh, është një donacion, po e punojmë edhe një tjetër. Protezat punohen në Prishtinë, maftë mirë edhe mjaftë kualitative, por edhe ata i kanë vështirësitë e veta”, ka thënë Kuçi.

Me gjithë këto vështirësi, që janë mungesa e teknologjisë së përditësuar dhe materialit bazë, në Shërbimin e Ortoprotetikës në QKUK, afër 100 proteza prodhohen brenda një viti.

“Herën e fundit me material për proteza jemi furnizu në vitin e kalum, 2018, po edhe aj gati u shku se ka pas kërkesa shumë … Këtu te ne, trajtimi për vit, ndodh me pas deri në 100 persona me amputime me ju bo protezat. Ka edhe ma pak, ka edhe raste kur jemi në mungesë materiali ku shumë pak mundemi me bo”, ka thënë Lulzim Geci, drejtor në Shërbimin Klinik të Ortoprotetikës.

Haki Krasniqi mbikëqyr prodhimin e protezave në këtë shërbim, dhe është një prej të paktëve që është i shkolluar në këtë profesion në Kosovë.

Krasniqi, kujton se prej se janë ndalur donacionet e organizatave ndërkombëtare, gjërat, nuk ka shkuar duke u përmirësuar, e gjithashtu edhe stafi është duke u reduktuar.

“Ortoprotetika është një profesion dinamik, që e ka kompentën klinike dhe atë të prodhimit, e kjo pjesë te ne, lë shumë për të dëshriu në mungesë të investimeve si për material si për investime në teknologji, qoftë për trajnime të stafit për me pas mundësi me përballu ritmin e progresit të profesionit. Ne pak a shumë kemi mbet në teknologjinë që në evrpoën perëndimroe ëshët apliku në vitet 90”, ka thënë Krasniqi.

Megjithatë, ai është i mendimit që me kujdes më të madh institucional, shërbimi i ortoprotetikës, do të mund t’u afrohej atyre në rajon.

“Hipotetikisht po them, mund të ndodh edhe gaboj, po nëse i referohemi tash, fillojmë të funksionojmë me at logjikë që të merremi me vetëm me mundësitë vendore, për 3-4 vite mund të arrijmë kapacitetet ose standardin e Kroacisë, Sllovenisë. Aktualisht edhe pse kam studiu jashtë vendit, për shkak të pamundësisë me i ndjek trendët e zhvillimit të profesionit, nuk mund të them se jam në gjendje të prodhoj mjetet ortopedike të nivelit të Evropës perëndimore.”

Përderisa nevojat e institucioneve shëndetësore, sikur shumë të tjerë, janë injoruar dhe kanë shkuar drejt degradimit, një protezë më e mirë kërkohet në Slloveni, Gjermani, Austri e deri në SHBA.

Por, invalidi i luftës Florim Kryeziu, pavarësisht se protezën e fundit e ka marrë në Gjermani, mendon se do të mund të kishte një më të mirë, që do t’i bënte të panevojshme patericat.

“I kisha lut, me pas parasysh kta shoqatat e kushdo. Këtu osht problemi,se nuk osht kualitet. Gjermant nuk kan faj, cka t’pagujsh t’ofron. I kisha lut shoqatat, që me mujt me naj bo ni zgjidhje, me ec pa shtaga. I shohim, video, me dy proteza qe lun basket …osht qellimi te kualiteti”./KTV/