Hani i Elezit ia ndërpren punimet Bechtel-Enkës

2 muaj më parë

Hani i Elezit ia ndërpren punimet Bechtel-Enkës

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit mori vendim për ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë Bechtel-Enka e cila po ndërton autostradën Prishtinë-Shkup.

“Për shkak të dëmtimit të pronës publike dhe private, mbylljes së disa rrugëve ekzistuese dhe zhurmës së madhe gjatë natës nga ana e kompanisë Bechtel-Enka e cila po realizon projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, komuna e Hanit të Elezit ka vendosur të ndërpres komunikimin dhe bashkëpunimin me kompaninë Bektel Enka”, thuhet në njjoftimin e komunës.

Kryetari i komunës se Hanit te Elezit, Rufki Suma tha se pas disa paralajmrimeve dhe kërkesave drejtuar kompanisë Bechtel-Enka për riparimin e dëmeve, rihapjen e rrugëve të mbyllura, ndotjen dhe degradimin e ambientit, me dt. 11.10.2018 ju drejtua me një letër Drejtorit gjeneral të kompanisë Bechtel-Enka, z.Riadh Alkhazraji të cilin e njoftoi me vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe për riparimin e dëmeve të shkaktuara.

Po të njëjtën ditë, sipas njoftimit me datën 11.10.2018, në orët e vona të natës, pas orës 23, kryetari Suma i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Refet Kalisi, dolën ne vendpunishte të autostradës në territorin e komunës së Hanit të Elezit dhe ndërprenë punimet e kompanisë Bechtel Enka për shkak të punimeve që bëheshin në orët e vona të natës me çka pengohej jeta normale e qytetarëve nga zhurma që krijohej.

Sipas komunës ‘për deri sa kompania Bektel Enka nuk do ti riparojë të gjitha dëmet e shkaktuara në pronat publike komunale dhe ato private të pa shpronësuara, komuna e Hanit te Elezit, nuk do të lejojë këtë kompani të shfrytëzoj pronën publike komunale”./kallxo.com