Halitaj: Programi qeveritar nuk do duhej të vonohej asnjë minutë

3 javë më parë

Halitaj: Programi qeveritar nuk do duhej të vonohej asnjë minutë

Gazetari Agron Halitaj e ka cilësuar Qeverinë Kurti si vazhdimësi e qeverive të mëhershme në aspektin e të vonuarit të paraqitjes së programit qeveritar para Kuvendit, shkruan AktivPress,

Sipas Halitajt, në një shtet për së mbari, programi qeverisës asnjëherë nuk bëhet temë e diskutimit në kuptimin e vonesës së hartimit të dokumentit, por bëhet objekt i debatit mbi përmbajtjen e tij.

“Ajo çfarë po ndodh me Qeverinë ‘Kurti 2’ është vetëm vazhdimësi e qeverisjeve të mëhershme, të cilat edhe e paguan faturën me 14 shkurt. Programi qeverisës nuk duhet vonuar një ditë, një javë, një muaj, apo edhe më shumë, por asnjë minutë”, ka shkruar Halitaj.

Me Rregulloren e Punës së Kuvendit, sipas tij, është e përcaktuar që kandidati për kryeministër, para se të marrë bekimin nga deputetët, duhet t’ia paraqes Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin qeveritar për miratim.

“Pra, kryeministri votohet me program dhe kabinet, e jo vetëm me kabinet e pa program. Ky rregull është shkelur në mënyrë sistematike nga qeveritë e kaluara, ky rregull është shkelur edhe nga qeveria e tanishme. Me asnjë ekspoze nuk mund të arsyetohet vonesa e programit qeverisës. Koha ka qenë gjithmonë dhe është edhe tani, që secila qeveri të flas sa më shumë me vepra, e sa më pak me fjalë. Të vonshëm jemi mjaftueshëm!”, ka përfunduar Halitaj.

AKTIV PRESS