Halitaj: Mos u bëfsh me të qajtë politikanët!

2 muaj më parë

Halitaj: Mos u bëfsh me të qajtë politikanët!

Gazetari Agron Halitaj ka reaguar pas debatit parlamentar mbi gjendjen pandemike në Kosovë, i cili zgjati dy ditë, por që nuk nxori asgjë me interes për qytetarët, transmeton AktivPress.

Ja çfarë shkruan Halitaj në llogarinë e tij në Facebook.

MOS U BËFSH ME TË QAJTË POLITIKANËT!

Dy ditë debat parlamentar për gjendjen pandemike në Kosovë dhe si përfundim asnjë informatë me interes për qytetarët. As s’u mor vesh se kur do të blehen vaksinat, e as s’u qartësua se pse nuk u nënshkrua kontrata me Pfizer-in nga ministri Vitia me 15 prill.

Në mungesë të këtyre dy përgjigjeve, u dëgjuan thirrjet për durim nga i pari i shëndetësisë dhe përplasjet mes deputetëve të partive në pushtet dhe atyre të opozitës mbi numrin e të vdekurve dhe të prekurve nga Covid-19.

Desh ia nxorën sytë njëri-tjetrit duke treguar se kur kanë vdekur më shumë e kur më pak nga virusi; kur janë infektuar më shumë e kur më pak; kur janë kryer më shumë teste e kur më pak; se sa ishte përqindja e të infektuarve në raport me numrin e të testurave në kohën kur e mori pushtetin VV-ja, e si qendronte puna në kohën e qeverijes nga Hoti. Zhurmë brenda në Kuvend, realitet i hidhur përjashtja.

Në fund të pusit ishim gjatë qeverisjes së kaluar, në fund të pusit jemi edhe pas më shumë se një muaj qëkur qeveria e re ia ka nisur punës. Si atëherë, si tash, qytetarët e Kosovës janë vetëm në dorë t’Zotit, të mjekëve dhe të atyre që na japin vaksina falas. Puna e politikanëve është parë dhe po shihet.

Dikur moti thoshte populli: Mos u bëfsh me t’qajtë Stambolli. Në ditë të sotit mund të themi: Mos u bëfsh me t’qajtë politikanët!

AKTIV PRESS