Halitaj: Bllokada financiare e shtetit nuk shmanget pa Qeveri të re

1 muaj më parë

Halitaj: Bllokada financiare e shtetit nuk shmanget pa Qeveri të re

Gazetari Agron Halitaj nuk pajtohet me disa analistë që thonë se Qeveria në detyrë ka të drejtën për ta proceduar në Kuvend Projektligjin për buxhetin 2020.

Ai thotë se nëse kjo qeveri do të mund ta bënte këtë gjë, atëherë nuk do të kishte pengesa për t’i proceduar në Kuvend edhe projektligjet e tjera, shkruan AktivPress.

Sipas Halitajt, rruga e miratimit të Ligjit për Buxhetin 2020 kalon vetëm përmes Qeverisë së re.

Në vijim mund ta lexoni të plotë shpjegimin e tij:

Nëse apriori thuhet se “me dorëheqjen e Qeverisë, çdo iniciativë ligjore kthehet në pikën zero”, nuk ka sens logjik që më pas të theksohet se “Qeveria në dorëheqje nuk ka asnjë pengesë për ta proceduar në Kuvend Projektligjin për buxhetin”.

Mjerisht këtë shpërputhje logjike po e shpërfaqin disa “ekspertë” dhe “analistë” të të gjitha çështjeve, dhe kështu po krijohet huti në publik.

Me logjikën e të tillëve, nëse një qeveri që e ka humbur legjitimitetin mund ta procedojë në Kuvend Projektligjin për buxhetin, atëherë e njëjta qeveri nuk do duhej të kishte pengesa për t’i proceduar as projektligjet e tjera.

Në kontekstin aktual i bie që Qeveria Haradinaj edhe pse është vetë-rrëzuar qe gjashtë muaj, do duhej ta përgatiste Strategjinë legjislative për vitin 2020 dhe kështu të vazhdonte punën si një qeveri e rregullt, e jo si një qeveri kujdestare.

Se kur do të krijohej Qeveria e re nuk do të qonte peshë pastaj, sepse veç e kemi në funksion një Qeveri. A ka logjikë kjo? Padyshim se përgjigja duhet të jetë – JO!

Duhet kuptuar se rruga e miratimit të Ligjit për Buxhetin 2020 kalon vetëm përmes Qeverisë së re.

E për zvarritjen e procesit të formimit të Qeverisë përgjegjësinë duhet kërkuar vetëm nga fituesit e zgjedhjeve.

AktivPress