Hajdari diskutoi me përfaqësuesit e bizneseve, iu premtoi bashkëpunim e përkrahje

5 muaj më parë

Hajdari diskutoi me përfaqësuesit e bizneseve, iu premtoi bashkëpunim e përkrahje

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari ka diskutuar sot me odat ekonomike vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, me prodhuesit vendor dhe importuesit, transmeton AktivPress.

“Ministrja Hajdari ka dëgjuar shqetësimet e tyre në lidhje me zbatimin e masave të marra nga vendimet dhe udhëzimet e Qeverisë për mbrojtje dhe kujdes lidhur me pandeminë COVID-19, gjatë veprimtarisë së tyre ekonomike, duke iu ofruar mbështetje dhe komunikim të vazhdueshëm për të sqaruar të gjitha udhëzimet e dhëna për zbatimin e masave dhe urdhëresave përkatëse për veprimtaritë ekonomike, lidhur me gjendjen e tanishme -emergjencë e shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Ministrja premtoi koordinim të plotë në mes bizneseve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke ua sqaruar edhe udhëzimet e ndërmarra nga MEPTINIS në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së bizneseve pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19”, shtohet më tej në komunikatë.

Ministrja tha që është në shërbim të bizneseve dhe mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre haptas, duke shtuar se udhëzimet që janë marr në këtë kohë, janë për shkak të gjendjes së pandemisë COVID-19, por me qëllim që sa më pak të afektojnë në veprimtarin e bizneseve që lejohen të punojnë.

Në takim, që u mbajt në ambient të hapur, me ministren Hajdari, ishin kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Klubit te Prodhuesve Astrit Panxha, drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare Nora Hasani, drejtoresha ekzekutive e Odës Afariste Austriake Vjosa Huruglica, drejtoreshë ekzekutivë e Rrjetit te Shitësve me Pakice Yllka Metaj, Latif Kryeziu nga “Shell Kosova”, shoqata e asociacione tjera, si dhe prodhues e importues të vendit. Ministrja Hajdari si ministre përgjegjëse nga Qeveria Kurti, për zhvillim ekonomik të vendit, mirëpret përfaqësuesit e bizneseve që të vijnë në kabinetin e saj, për t’i shprehur të gjitha brengat e bizneseve, dhe për t’i shqyrtuar e adresuar së bashku, në ditët në vijim./AktivPress/