Hajdari debuton te Baseli, e pret e ardhmja te Juventusi

4 javë më parë

Hajdari debuton te Baseli, e pret e ardhmja te Juventusi

Më 19 shtator Albian Hajdari është transferuar te Juventusi, gjiganti italian i futbollit. Të dielën mbrojtësi 17-vjeçar ka bërë hap tjetër të rëndësishëm në karrierë. Ai ka debutuar në Superligën e Zvicrës në futboll. Ka debutuar me Baselin, skuadër prej të cilës edhe e realizoi transferimin te Juventusi.

Por kampioni italian e la Hajdarin si huazim te Baseli për dy vjet. Prej verës Hajdari është bashkuar me ekipin e parë të Baselit dhe të dielën debutoi në elitë. Nuk ishte debutim me fat, por me rëndësi është se bëri hapin para.

Kështu Baseli konfirmohet si skuadër që beson shumë në futbollistët shqiptarë. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë dalë prej këtij klubi, por edhe shumë shqiptarë të tjerë.

Juventusi e ka përcjellë për një kohë Hajdarin, dhe ka vendosur herët të siguroj shërbimet e tij. Madje Juventusi ka rezervuar të drejtën që të kthej pas një viti nga huazimi Hajdarin.

Baseli të dielën në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Zvicrës pësoi 1:0 nga Servette. Golin e vetëm e shënoi Alex Schalk në minutën e 77-të. Penalltia u shkaktua kur topi e goditi lehtë në dorë pikërisht Hajdarin. Por te Baseli kanë vlerësuar se penalltia nuk ka ekzistuar. Madje trajneri Ciriaco Sforza ishte shumë i revoltuar.

Baseli në minutën e 30-të mbeti me një lojtar më pak në fushë dhe trajneri Sforza vendosi që Hajdari të plotësojë boshllëkun në mbrojtje. Hajdari hyri në vend të Edon Zhegrovës që luajti ndeshjen e parë pas kthimit te Baseli, përkatësisht te transferimi i plotë te kjo skuadër.

Te Baseli pos Zhegrovës startoi edhe Orges Bunjaku. Në stol ishte Tician Tushi kurse munguan Taulant Xhaka, Elis Isufi e Kemal Ademi.

Te Servette startoi Kastriot Imeri, që u vlerësua lart për paraqitjen.