Grupet punuese VV–LDK për harmonizimin e programit takohen të mërkurën

4 javë më parë

Grupet punuese VV–LDK për harmonizimin e programit takohen të mërkurën

Të mërkurën do të mbahet takimi i dytë koordinues në mes të grupeve punuese 3+3 që i kanë krijuar në Lëvizjen Vetëvendosje e Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Tash, kur ende nuk ka përfunduar numërimi i të gjitha votave e nuk është bërë certifikimi i rezultateve që tregon për fituesin, LDK e VV, pas takimit që patën fillimisht në nivel liderësh, do të vazhdojnë takimet në mes të grupeve koordinuese, të krijuara me qëllim harmonizimin e programeve.

Javën e kaluar është mbajtur takimi i parë në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku përfaqësues nga LDK-ja, ishin Lumir Abdixhiku e Avdullah Hoti, derisa nga VV-ja, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu e Besnik Bislimi.

Pas takimit të dy partitë dolën me një deklaratë të përbashkët për media.

“Në vazhdimësi të takimit të dy liderëve të LDK-së dhe LVV-së, sot në Selinë e LDK-së është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës. Dy grupet punuese u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, shkruhet në njoftim.

Tutje, u tha se në takim u shqyrtuan temat kryesore politike për reformat kyçe sektoriale të cilat e presin qeverinë e re.

“Në takim u shqyrtuan temat kryesore politike dhe reformat kyçe sektoriale të cilat e presin Qeverinë e re. Palët u dakorduan për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i radhës të mbahet të mërkurën nga ora 15:00 për të konkretizuar diskutimet e sotme”, u bë e ditur në njoftim.

LDK-ja e Isa Mustafës e Vetëvendosja e Albin Kurtit, qysh prej kohës kur dështuan në krijim të një koalicioni parazgjedhor, paralajmëruan se një të tillë do ta vazhdojnë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Vetëvendosje nga votat që janë numëruar deri më tani vazhdon që të radhitet si parti e parë, me një rezultat të ngushtë me LDK-në./Express