Grenell për shkëmbim territoresh, analisti Joseph: Do tentojë të bindë Gjermaninë për këtë ide

2 javë më parë

Grenell për shkëmbim territoresh, analisti Joseph: Do tentojë të bindë Gjermaninë për këtë ide

Analisti amerikan, Edward Joseph, thotë se me emërimin e Richard Grenellit të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Shtëpia e Bardhë beson se mund ta bindë Gjermaninë që të mbështesë idenë polemizuese të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë të dhënë Radios Evropa e Lirë, Joseph e sheh përfshirjen gjithmonë e më të intensifikuar të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi, edhe si pozitive, por si edhe shqetësuese.

“Pozitive, sepse secila administratë amerikane që tregon interesim intensiv në Ballkan, është një gjë e mirë”, thotë ai.

Janë bërë disa vite që SHBA-ja e ka distancuar veten nga Ballkani dhe e ka larguar rajonin nga prioritetet e saj. Por, dialogu kërkon angazhim të nivelit të lartë, në mënyrë që edhe Kosova, edhe Serbia të bëjnë përparim, vazhdon ai.

Në të njëjtën kohë është e çuditshme dhe shqetësuese, përse ambasadori Grenell është emëruar në pozitën e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi kur Matthew Palmer ishte zgjedhur në pozitën e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin, pyet Joseph.

Sipas analistit, është e pazakontë që ka dy të dërguar, sidomos kur njëri sapo e ka marrë emërimin. Është e mundur që Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkan dhe beson se Grenell është personi që mund ta bindë Gjermaninë.

“Por, në pikëpamjet e udhëheqësve të rëndësishëm në rajon, shkëmbimi i territoreve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues”, shprehet ai.