Gratë police trajnohen për pozita të larta operacionale

3 vite më parë

Gratë police trajnohen për pozita të larta operacionale

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ka përfunduar trajnimi “Komandant Operacional”  për gratë në pozita të larta në Policinë e Kosovës.

Trajnimi i cili është mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Shoqatën e Grave Police ka për qëllim fuqizimin e gruas në pozita të larta operacionale në stacionet policore.

Në ceremoninë e çertifikimit të pranishëm ishin  drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE, Ake Roghe, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, kryetarja e Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, Taibe Canolli,  Shpresa Muharremi dhe Shpresa Mulliqi nga OSBE-ja si dhe përfaqësues nga Policia  e Kosovës.

Të pranishmit në këtë ceremoni vlerësuan se fuqizimi i gruas police është i rëndësishëm për Kosovën.

Ake Roghe, tha që është i lumtur që OSBE-ja po përkrah fuqizimin e grave police në Kosovë. Ai shtoj se trajnimi në fjalë është faza e dytë dhe është vazhdim i trajnimit që është mbajtur në korrik të vitit të kaluar.

“Ndërsa ne jemi në përgatitjen e fazës së tretë që gratë police të kenë mundësi t’i vizitojnë stacionet policore të vendeve të rajonit më qëllim që ti ngritin aftësitë e tyre profesionale dhe të familjarizohen me punën praktike të tyre”, tha Roghe.

Kurse Smakiqi falënderoi OSBE-në për përkrahjen dhe mundësin e mbajtjes së këtij trajnimi për herë të parë në Akademi.

“Ju më gradën e juaj si dhe aftësimin në këtë trajnim po tregoni që jeni menaxhere të suksesshme në punën e juaj në Policinë e Kosovës dhe kjo na bënë krenar të gjithëve”, tha Smakiqi.

E kryetarja e Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, Taibe Canolli, u shpreh e lumtur qe është pjesë e Policisë se Kosovës, ndërkaq kërkoi nga pjesëmarrëset e këtij trajnim që aftësitë e fituar në këtë trajnim t’i praktikojnë në vendet e tyre të punës.

Trajnimi ka zgjatur pesë ditë dhe pjesëmarrëse në këtë trajnim kanë qenë trembëdhjetë eprore të PK- së, nga të gjitha drejtoritë rajonale dhe grupet etnike, të përzgjedhura nga moduli i parë i trajnimit në fjalë i cili është mbajtur në muajin korrik të vitit të kaluar në DPP-Prishtinë./AktivPress