Gjysma e kompanive janë përballë me pasojat e emigrimit të punëtorëve

4 ditë më parë

Gjysma e kompanive janë përballë me pasojat e emigrimit të punëtorëve

Gati gjysma e kompanive kosovare janë përballur me pasojat e emigrimit të të punësuarve të tyre. Sipas analizës së Pulsit Publik të publikuar të hënën, e cila ka të bëjë me ndërlidhjen e tregut të punës dhe emigrimit, shumica e të punësuarve të emigruar në tre vjetët e fundit janë shpërngulur në Gjermani.

Analiza e Pulsit Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) është realizuar me anketimin e 201 bizneseve. Aty thuhet se institucionet dhe organizatat, palë të interesit, pajtohen se emigracioni i qytetarëve të Kosovës, veçanërisht në lidhje me punëtorët e aftë, është problem i përhapur në Kosovë, raporton KOHA.

“Emigrimi perceptohet vazhdimisht në rritje dhe me ndikim në tregun e punës dhe mungesën e shkathtësive në vend”, thuhet në analizë.

Përveç shpresës për mundësi më të mira pune dhe zhvillim personal ekonomik, edhe ribashkimi familjarë, sipas UNDP-së, ka luajtur rol të madh për shumë persona që kanë emigruar në Gjermani.

Sipas anketës, shumica e të punësuarve të kompanive të anketuara që kanë emigruar kanë pasur vetëm arsim të mesëm (75%) dhe kanë punuar në pozita teknike (52%) (d.m.th jo pozita profesionale ose menaxheriale) dhe mund të jenë më të lehtë për t’u zëvendësuar sesa personeli shumë i kualifikuar.

Intervistat me institucionet dhe organizatat palë të interesit zbuluan se emigracioni perceptohet se ka ndikimin më të madh kur bëhet fjalë për punëtorë profesionalë dhe të aftë. Kjo, sipas UNDP-së, ka të bëjë veçanërisht me pozita të tilla si mjekë, infermierë dhe inxhinierë. Rrjedhimisht sektori i shëndetësisë perceptohet si më i ndikuari.