Gjykimi i patriotëve dhe intelektualëve Koço dhe Akile Tasi, dhe turmat injorante që ulërinin: Dënim me vdekje!

5 muaj më parë

Gjykimi i patriotëve dhe intelektualëve Koço dhe Akile Tasi, dhe turmat injorante që ulërinin: Dënim me vdekje!

Çelisti i parë dikur i Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës të Shqipërisë, piktori dhe shkrimtari Lekë Tasi, rrëfen vuajtjet nën pushtetin e komunizmit të familjarëve të tij: babai Koço dhe xhaxhait Akile, vëllait Napoleon dhe dajës Mark Dindi.

Leka u lind më 1929 në Athinë, në një familje të pasur e të ngritur përmetare. Por, rinia e tij lidhet me Kosovën, dashurinë për të cilën kurrë s’e ka shuar. Kjo sepse babai i tij, Koço Tasi, jurist i diplomuar në Romë, në vitin 1941 ishte guvernatori i parë i Kosovës. Është meritë e tij hapja e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit të Shqipërisë, vendosi t’i dërgojë mësuesit, por Koço Tasi u kujdes për objektet, financimin dhe mbarëvajtjen e mësimit.

Ai ka themeluar administratën e parë lokale në Kosovë, ka administruar me ndershmëri taksat dhe ka emëruar edhe kryetarët e bashkive në Kosovë dhe në tokat tjera të çliruara, duke vënë në poste njerëz të aftë e të ndershëm (teksa meritat e Koliqit së paku verbalisht çmohen, Koço Tasi është i harruar).

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, arrestohet Koço Tasi – bashkëpunëtor i Luigj Gurakuqit, pjesëmarrës në Luftën Vlorës, deputet i Parlamentit të parë shqiptar, ministër i Drejtësisë e kryetar i Gjirokastrës në momentet më të rënda të kërcënimit të grekomanëve. Ai do të dergjet për 20 vite në Burrel. Vëllai i tij Akile, bashkëpunëtor i Faik Konicës, i diplomuar në Bolonjë e ministër i Kulturës, vdesë në Burrel.

Në videon e mëposhtme, Lekë Tasi rrëfen për kalvarin e familjes së tij me ardhjen e pushtetit komunist në Shqipëri. Ai përshkruan gjyqin “popullor” të vëllezërve patriotë e intelektualë, Koço dhe Akile, dhe turmat e indoktrinuara që nuk dinin gjë e që brohorisnin “në litar”, duke kërkuar dënim me vdekje me ta.

Burgjet i vuan edhe vëllai i tij Napoleoni, që ka përkthyer ndër të tjera sonetet e William Shkespeare-t, sonetet e John Keats-it dhe Lord Byron-in, motra e vetme këngëtarja lirike Tefta, daja jurist Marku … Napoleoni poliglot dënohet sepse kishte luftuar kundër çetnikëve, për të mbrojtur popullatën e Kosovës. Leka thotë se kjo dëshmon se komunistët shqiptarë nuk e donin Kosovën.

Lekë Tasin, çelistin e parë, pushteti komunist do ta dënojë me punë të detyrueshme në bujqësi, duke e internuar në Grabjan të Divjakës.

Për më shumë, shikojeni videon. /Telegrafi/