3 javë më parë

Gjykata Speciale do ta zhveshë Kosovën nga mitet e rrejshme

Gjykata Speciale do ta zhveshë Kosovën nga mitet e rrejshme

Fakti që krerët më të lartë të UÇK-së pritet të jenë në bankën e të akuzuarve të Gjykaktës  Speciale në Hagë është faj i vetë udhëheqësve të UÇK-së që “i kanë zbritë pelës nga bishti”, që do të thotë se kanë bërë veprime që kanë krijuar dyshime se kanë kryer krime lufte.

Është tendencë e të akuzuarve potencialë që vetën e tyre ta identifikojnë me UÇK-në dhe me krejt Kosovën, por as shumica e qytetarëve të Kosovës e as shumica e luftetarëve të UÇK-së nuk ndjehen të sulmuar nga Gjykata Speciale.

Tek e fundit, këtë Gjykatë e ka krijuar Parlamenti i Kosovës me 2/3 të votave. Tani disa deputetë janë bërë pishman pse e kanë votuar Gjykatën Speciale duke menduar se ata vetë nuk do të jenë të dyshuarit. Por, ky është problem i tyre. Edhe unë i kam rënë pishman që kam votuar për disa deputetë, po kjo nuk ua zhbënë mandatin atyre. Është problem i imi që kam votuar për ata që nuk do të duhej të votoja.

Dënimi eventual i të akuzuarve nuk e zbehë aspak luftën e Kosovës për çlirim. Nëse dënohen 100 veta, qoftë këta edhe nga kierarkia më e lartë e UÇK-së, kjo nuk e zbehë luftën e drejtë të 15.000 luftetarëve dhe përkrahjen e një populli të tërë kësaj lufte. Përkundrazi, dënimi i kriminelve të luftës e fisnikëron këtë luftë. Lufta për çlirim zhvishet nga rrenat dhe dalin në pah të vërtetat, zhduken heronjtë e rrejshëm e dalin në pah heronjtë e vërtetë.

Sado i madh të jetë numri i të dënuarve për krime lufte, kjo nuk e zbehë pozicionin e Kosovës karshi Serbisë. Përkundrazi e forcon këtë pozicion. Kriminelët e luftës janë pengesë për zhvillimin e shoqërisë. Dënimi i kriminelve i hapë shtigjet një shoqërie. Nëse Serbia nuk i dënon kriminelët që jetojnë në Serbi, ky është problem për Serbinë. Ata kanë bërë çfarë kanë bërë në Kosovë, tani i bëjnë problem Serbisë. Pra, tani janë problem i saj. Ndërsa, kriminelët që jetojnë në Kosovë janë problem për zhvillimin e shoqërisë kosovare. Me dënimin e tyre çlirohet Kosova e jo Serbia.

Dallimi mes kriminelëve në Kosovë e Serbi është së pari në numër. Serbët kanë bërë shumë më shumë krime. E dyta. Kriminelët serbë kanë vrarë shumë shqiptarë e pak serbë, kurse kriminelët shqiptarë kanë vrarë më shumë shqiptarë se sa serbë.

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Me rrena nuk shkohet në xhenet”. Historiografia e luftës së fundit është e mitizuar në mënyrë shumë banale. Konform kësaj e kemi humbur betejen politike me Serbinë. Historiagrafia që karakterizon mendësinë politike të shokut Enver Hoxha, ka vazhduar edhe në rastin e UÇK-së.

Po jap vetëm një detaj. Sakrifica e familjes Jashari të Prekazit, që është një sakrificë e vërtetë, madje e jashtëzakonshme, e pashembullt në histori, madje në histori botërore, ku një famije e tërë mbi 50 anëtarëshe sakrifikohet, mbulohet me mitin e rrejshëm për “komandantin legjendar”!. Po çfarë komandanti pashë Zotin, kur asnjë avion, as tanks nuk ka komnduar, ku e shumëta ka komanduar 100 veta sa vështirë se i ka pasur UÇK-ja në atë kohë?

Pra, është krijuar miti i rrejshëm i komandantit, për të mbuluar heroizmin e vërtetë të sakrificës mbinjerëzore. Sikur para botës të dilnim me simbolin e sakrificës për liri, ne do të kishim rrugën hapur për të fituar betejën politike me Serbinë. Po imagjino një politikan tonin para ndonjë gjenerali të NATO-s apo burri të shtetit duke filluar fjalinë me “Our legendary commander Adem Jashari …” (Komandanti ynë legjendar Adem Jashari …..” ) e tjeri duke e pyetur vetën: “po NATO çfarë paska kërkuar në Kosovë me komandantat e vetë “jolegjendarë”?

Pra, ne qe 20 vite e kemi mprehur sopatën në këmbën tonë. Tani edhe disave të pafajshëmëve do t’u bjerë fati i keq të torturohen me prokurorë e gjykatës e në fund do të shpallen të pafajshëm.

Disa kriminelë do të dënohen, e disa kriminelë do të lirohen si të pafajshëm në mungesë faktesh. Por e vështirë që ndonjë i pafajshëm të dënohet nga një gjykatë me standarde të larta juridike. Së këndejmi, publiku në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni nuk ka pse ta merr tragjike punën e Gjykatës Speciale. Tek e fundit ato 400 milionë euro që Bashkimi Evropian i jep për këtë Gjykatë Speciale, janë ndihmë për Kosovën, dhe në të mirë të Kosovës./AKTIV PRESS/