Gjermania pezullon policët nacionalistë-racistë

1 muaj më parë

Gjermania pezullon policët nacionalistë-racistë

Rajoni perëndimor i Nordrajn-Vestfalisë në Gjermani ka pezulluar nga detyra 29 oficerë të policisë të akuzuar për promovimin e nacionalizmit dhe racizmit mes njëri-tjetrit, transmeton oranews.

Ish-pjesëtarët e forcave gjermane të rendit dyshohet se përdornin grupe të mbyllura dhe aplikacione celulare për të shpërndarë foto të ish-udhëheqësit famëkeq, Adolf Hitler, foto diskredituese për refugjatët që jetojnë në vend dhe materiale të tjera të ekstremizmit të djathtë.

Kryeqeveritari i rajonit, Herbert Rojl, deklaroi në një konferencë se ngjarja e ka goditur në zemër dhe e ka turpëruar policinë rajonale.

“Bëhet fjalë për portretizimet më të pështirë nga neonazistë, racistë dhe urryes të refugjatëve. Kanë shpërndarë më shumë se 100 foto kriminale, foto të Hitlerit, simbole të svastikës, flamurin e Gjermanisë perandorake, por edhe vizatime të shëmtuara të një refugjati brenda një dhome gazi në kamp përqendrimi apo të njerëzve me ngjyrë teksa qëllohen me armë.”

Dhjetëra policët akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me kushtetutën, duke përdorur simbolet e kryqit nazist, fotografi të Hitlerit dhe dhomat e gazit të ngritura dikur për hebrenjtë.

“Për ekstremistët ultradjathtistë dhe neonazistët nuk ka vend në forcën policore të Nordrajn-Vestfalisë. Duhet patjetër një reagim i fuqishëm politik.”

Nga policët e shkarkuar, 25 prej tyre mësohet se punonin në drejtorinë e policisë së Esenit, në nivel drejtuesish dhe në njësitë e forcave speciale.

Zbulimi u krye në vazhdën e një hetimi të prokurorisë kundër një ish-polici, i cili dyshohej se kërcënonte me imejle aktivistëve dhe ligjvënës turq pro emigracionit duke përdorur siglën e një bande të dikurshme me bindje neonaziste.

Mesazhet nënshkruheshin me shkurtimin “Qëndresa Nacionalsocialiste”, bandë gjermane e cila në vitet 2000 dhe 2007 shkaktoi vdekjen e të paktën 10 personave, shumica emigrantë.

18 shtator 2020, 12:01
Shpërndaje në