Gjashtë muaj nga vdekjet e dyshimta në QKUK, hetimet vazhdojnë

9 muaj më parë

Gjashtë muaj nga vdekjet e dyshimta në QKUK, hetimet vazhdojnë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte deklaruar se nuk do të ketë qetësi deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në vdekjen e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Tani kanë kaluar gjashtë muaj nga ajo kohë, por shkaku i vdekjes së këtyre personave ende nuk dihet.

Zëdhënësi në Prokurori të Shtetit, Ekrem Lutfiu tha për AktivPress se nuk mund të japë informacione në lidhje me këtë rast, por konfirmoi se hetimet nuk janë mbyllur ato po vazhdojnë.

“Prokuroria ende është në fazën e hetimeve dhe për këtë arsye nuk mund të japim asnjë informatë lidhur me këtë çështje”, tha Lutfiu.

Kjo tragjedi që ndodhi më 7 shtator të viti të kaluar vuri në pah marrëdhëniet e institucioneve shëndetësore me kompanitë e palicensuara, pasi dyshimet e para në Prokurori ishin në Gazin Oksidul, i cili prodhohej pa licencë e me të furnizohej QKUK-ja.

Për këtë edhe ishte arrestuar pronari i kompanisë së gazit oksidul “Bubeari Komerce”, Naser Guri, i cili pas tre muajsh u lirua nën masën e dorëzanisë, pasi kishte deponuar 30 mijë euro.

Menjëherë pas këtij rasti, Ministria e Shëndetësisë kishte ndërmarrë masa duke dërguar ekipet e inspektorëve në teren, po ashtu edhe duke pezulluar operacionet në Klinikën e Kirurgjisë, në përjashtim të rasteve emergjente.

Mirëpo, sipas anëtarit të bordit të QKUK-së, Shemsi Veselit kjo situatë nuk kishte zgjatur shumë pasi brenda një muaji kanë arritur t’i kthehen normalitetit.

“Situata i është kthyer menjëherë normalitetit. Atëherë është punuar vetëm në rastet siç i quajmë ne të nxehta. Në këto raste janë kryer operacionet pa asnjë problem, ndërsa rastet që kanë qenë të planifikuara në atë periudhë kohore, thjeshtë janë shty për një periudhë të caktuar”, tha Veseli për AktivPress.

Sipas tij, brenda një muaji është bërë kontrata për furnizimin e QKUK-së me këtë lloj gazi në mënyrë të ligjshme dhe menjëherë është normalizuar gjendja. Prej atëherë, siç thotë Veseli, janë kryer të gjitha operacionet pa asnjë problem./Majlinda Ibrahimi/ AktivPress