Gjakova ndanë subvencione për bujqësi dhe sport

4 vite më parë

Gjakova ndanë subvencione për bujqësi dhe sport

Komuna e Gjakovës ka ndarë 60 mijë euro për subvencionime në bujqësi dhe 57 mijë euro për subvencionimin e klubeve dhe aktiviteteve sportive. Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, e cila është mbajtur sot.

Bordi i udhëhequr nga kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, fillimisht e ka aprovuar kërkesën e drejtorisë së Bujqësisë për subvencionimin e 20 fermerëve me serra të kapacitetit 240 m2. Sipas drejtorit të Bujqësisë Bekim Ermeni, shuma e këtij subvencionimi arrin deri në 50 mijë euro.

Shtesë kësaj, Bordi e ka aprovuar edhe kërkesën tjetër të drejtorisë së Bujqësisë, për subvencionimin e fermerëve me pemë të imëta, konkretisht me mjedra dhe aronia, një pemë kjo që për herë të parë po subvencionohet në komunën e Gjakovës. Drejtoria ka planifikuar që me rreth 10 mijë euro të ndara të subvencionohen në tërësi 2.5 deri në 3 hektarë të mbjella me këto dy lloje të pemëve, konkretisht 10 – 20 ari për një fermer.

Nga ana tjetër, drejtori i drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Meriton Ferizi ka prezantuar planin e subvencionimit të klube sportive por edhe turneve e aktiviteteve sportive që pritet të mbahen gjatë vitit 2016. Në këtë drejtim, Bordi e ka miratuar këtë plan, i cili parasheh ndarjen e një shume prej 57 mijë euro, shumë e cila sipas drejtorit Ferizi është dy apo tri herë më e madhe se shuma që kanë ndarë komunat tjera për sportin.

Sa i përket ndarjes së kësaj shume, vlen të përmendet se atyre përfshihet edhe organizimi i Turneut Ndërkombëtar në Hendboll për meshkuj “Bashkim Idrizi”, Turneut Ndërkombëtar në Hendboll për femra “Shqiponja”, pjesëmarrje e Klubit të Hendbollit “Shqiponja” në garat ndërkombëtare, Garat e kërcimit nga ura e Fshejtë, shënimi i 90 vjetorit të themelimit të Klubit të Futbollit “Vëllaznimi” si dhe subvencionimi i dy klubeve të reja që po i rikthehen sportit gjakovar, Klubit të Volejbollit “Vëllaznimi” dhe Klubit të Futbollit dushkajas “Dukagjini”./AktivPress/