Gërvalla-PDK-së: Specialja s’pikoi nga qielli, ju e votuat

1 muaj më parë

Gërvalla-PDK-së: Specialja s’pikoi nga qielli, ju e votuat

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, iu ka thënë deputetëve të PDK-së se janë fajtorë që prijësit e tyre sot gjenden në Hagë dhe se duke e sulmuar atë “nuk do të mund ta gjejnë zgjidhjen e këtij problemi”.

“Gjykata Speciale në Hagë nuk është e instaluar nga Serbia, por nga ju. Pse është e instaluar nga ju? Sepse ju jo vetëm që nuk e keni luftuar, por s’keni ndërmarrë asgjë për dënimin dhe gjykimin dhe dënimin e krimeve të pasluftës. Jo vetëm që asgjë nuk keni ndërmarrë, por jeni munduar ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju jeni ata që në këtë formë e keni bërë të mundur Gjykatën Speciale. Ju e keni votuar, ajo s’ka pikuar nga qielli. Të mos bëhemi qesharakë sepse e dimë se si është krijuar Gjykata Speciale. Ky koalicion qeveritar nuk e ka krijuar atë”.

Gërvalla iu tha deputetëve të PDK-së se tani janë në një kohë kur kanë nevojë për t’u sqaruar se pse e kanë bërë një veprim të tillë, prandaj edhe merren “çdo ditë me sajime, gënjeshtra”.

Ajo tha se kjo nuk është forma që do të mund t’ia shpjegojnë veprimet e tyre të së kaluarës përkrahësve të partisë.