GAP: Më shumë se 198 mijë punëkërkues u regjistruan në shtatë muajt e parë të pandemisë

3 javë më parë

GAP: Më shumë se 198 mijë punëkërkues u regjistruan në shtatë muajt e parë të pandemisë

Instituti GAP sot ka publikuar raportin “Të papunë në pandemi – analizë e shkurtër mbi numrin dhe profilin e punëkërkuesve gjatë periudhës mars 2020 – shkurt 2021”.

Ky raport tregon se shtrëngimet ekonomike që erdhën si pasojë e pandemisë Covid-19 kanë prekur dukshëm tregun e punës në Kosovë, thuhet sipas njoftimit.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e punësimit ra nga 29.1% gjatë tremujorit të parë në 24.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, kurse papunësia pësoi rritje prej 2.2 pikë përqindje prej tremujorit të parë të vitit 2020 (25%) në tremujorin e dytë (27.2%).Sipas Administratës Tatimore në Kosovë (ATK), industritë që pësuan mesatarisht rënien më të madhe të punëtorëve mes viteve 2019-2020 ishin transporti dhe magazinimi (-2,668 punëtorë), administrimi publik (-1,509 punëtorë), tregtia dhe riparimi i mjeteve motorike (-1,406 punëtorë).

Sipas Agjencisë së Punësimit në Kosovë (APRK), nga muaji mars 2020 numri i punëkërkuesve aktiv filloi të rritet dukshëm, duke arritur kulmin në muajin shtator me më shumë se 198 mijë punëkërkues. Në këtë hulumtim janë analizuar punëkërkuesit edhe sipas karakteristikave të tyre si mosha, gjinia, dhe niveli i edukimit, ku del se shumica e punëkërkuesëve i përkisnin grupmoshës 25-39 vjeç, burrat dhe gratë ishin pothuajse të barabartë në numër, kurse për nga niveli i shkollimit dominonin ata të pashkolluar dhe me shkollë fillore apo të mesme.

“Për më tepër, ky studim merr për bazë edhe sfidat dhe nevojat e Agjencisë së Punësimit, e cila është përballur direkt me numrin e madh të punërkuesve gjatë tërë vitit 2020. Andaj, me qëllim të përmirësimit të tregut të punës në përgjithësi, Instituti GAP rekomandon që Agjencia e Punësimit në Kosovë të ketë ngritje të kapaciteteve që të mundësojë shtimin e punësimit, sidomos për grupe të caktuara dhe të ndjeshme punëkërkuesish. Po ashtu, sugjerohet që agjencia vazhdimisht të ketë mundësi mbledhjen e të dhënave më të hollësishme rreth statusit të punësimit të punëkërkuesve të regjistruar, dhe që të ofrojë më shumë trajnime apo orientimi në karrierë sidomos në ato industri ku pritet të ketë nevojë për punëtorë”, thuhet tutje në njoftim.