Filarmonia në 20-vjetor me histori suksesesh e pa kushte elementare

4 javë më parë

Filarmonia në 20-vjetor me histori suksesesh e pa kushte elementare

Shumica prej 400 vetave që në majin e vitit të kaluar kanë ndjekur koncertin e Filarmonisë së Kosovës në Paris, pas ndjesisë që kishte krijuar interpretimi, mund të kenë menduar që bëhet fjalë për një institucion me traditë të paktën disadekadëshe. Pakkujt pas koncertit në katedralen “Saint-Louis-des-Invalides” mund t’i ketë shkuar mendja që institucioni ishte në fund të dekadës së dytë pas themelimit e që Kori bashkë me Orkestrën mbajnë prova në një sallë prej rreth 150 metrash katrorë.

Me veprën bashkëkohore të kompozitorit Karl Jenkins, “Njeriu me armë” me nëntitull “Meshë për paqe”, Kosova shpjegonte historinë e saj përmes artit dhe dërgonte mesazhe paqeje në Paris nëpërmjet Filarmonisë së Kosovës, 20 vjet pas luftës. Sivjet vetë Filarmonia shënon 20-vjetorin e themelimit. Institucioni në fund të dekadës së dytë, jo vetëm që mahnit me interpretime, por edhe përfaqëson vendin e jep mesazhe paqeje.

Entuziazmi i themelimit

Në Kosovën e vitit 2000, pas euforisë së lirisë, të shumtë ishin ata që e kishin hall një kulm mbi kokë. Por kishin nisur të viheshin themelet e një shteti të ri. E një grup entuziastësh e kishin bluar në kokë edhe themelimin e institucioneve kulturore. Midis tyre ishte edhe dirigjenti tashmë i ndjerë Bahri Çela. Vetëm entuziazmi nuk bënte punë. E rruga nuk ishte aspak e lehtë. Deri në fillim të viteve ’90 Kosova kishte vetëm Orkestrën e Radiotelevizionit të Prishtinës. Institucion të Filarmonisë nuk kishte ajo që asokohe mbante emrin Krahina Socialiste Autonome e Kosovës.

Bahri Çela me miq do të mblidhnin disa profesionistë të gjeneratës së vjetër e disa krejt të rinj për të formuar një orkestër harkore që numëronte rreth 15 veta. Koncerti i parë do të jepej më 27 shtator të vitit 2000 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Aty, deri në vitin 2004, do të mbaheshin ushtrimet. Po ashtu, aty Filarmonia i kishte edhe zyrat./KOHA