FFK-ja s’parasheh ndërprerje të kampionatit nëse ndonjë lojtar infektohet me COVID-19

1 javë më parë

FFK-ja s’parasheh ndërprerje të kampionatit nëse ndonjë lojtar infektohet me COVID-19

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk parasheh ndërprerje të kampionatit nëse ndonjë lojtar apo punonjës i ndonjë klubi të Superligës infektohet me koronavirus gjatë kësaj faze dhe ndeshjeve kampionale, që pritet të rifillojnë në fillim të muajit të ardhshëm. Në FFK janë të vendosur ta çojnë deri në fund edicionin që u pezullua në muajin mars shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se vendimet e ardhshme do t’i marrin sipas rekomandimeve nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Në rast se del ndonjë futbollist pozitiv, ideja është që vetëm futbollisti të izolohet dhe kampionati të vazhdojë. Kjo është vetëm si ide, por ne do të veprojmë me rekomandimet që do të marrim nga dy institucionet shtetërore. Asnjë hap nuk do ta marrim pa ata. Edhe për ne shëndeti është në plan të parë”, ka thënë Salihu të enjten për KOHËN.

Por drejtori i klubit Drita, Valon Zymberi, thotë se çfarë do të ndodhë nëse një klubi i dalin 4-5 lojtarë të prekur me pandeminë e koronavirusit.

“Në rregull, Federata e Futbollit e Kosovës paska marrë një vendim, por a është i menduar mirë. Unë tash po e pyes FFK-në, nëse shfaqen me simptoma 4-5 futbollistë të tjerë, ku t’i marrim lojtarët për të zhvilluar garat, sepse për shëndetin e tyre po e shohim që nuk ka interesim”, ka insistuar Zymberi.

I gjithë ky debat është hapur pas rastit të paraqitur me koronavirus te klubi Drita.

I pari futbollist i Superligës së Kosovës, që ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, është futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, sulmuesi Izair Emini.