FFK-ja po i përgatit letrat për lojtarin që Kosovën nuk e ka opsion të vetëm

4 muaj më parë

FFK-ja po i përgatit letrat për lojtarin që Kosovën nuk e ka opsion të vetëm

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po e vazhdon punën për të afruar Ibrahim Dresheviqin në përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Dresheviq ka pasur një fillim të furishëm të edicionit në Holandë, duke realizuar dy gola të bukur në dy xhirot e para për Heerenveenin.

Mbrojtësi 22-vjeçar ka zënë vend dy herë rresht në ekipin e javës të kampionatit holandez dhe për të po parashikohet një edicion shumë i suksesshëm. Ai në janar ishte transferuar te Heerenveeni nga Elfsborgu suedez, ndërsa në pranverë kishte luajtur në gjashtë ndeshje kampionale.

Në maj ai vendosi të bashkohet me përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa u ftua për dy ndeshjet e qershorit, me Malin e Zi e Bullgarinë. Por nuk mundi të luajë pasi nuk kishte dokumentacionin e kompletuar.

Nuk është plotësisht e sigurt nëse Dresheviq do të fitojë të drejtën të luajë për Kosovën edhe për ndeshjet e shtatorit, por mëdyshje ka krijuar edhe një deklaratë e tij e dhënë të hënën për mediat suedeze.

Për “fotbollskanalen.se” nuk është shprehur plotësisht i vendosur se do të luajë për Kosovën. Një ftesë eventuale nga Suedia do të mundë të ndryshonte gjërat.

Por në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk kanë ndonjë dyshim për përkushtimin e Dresheviqit që të luajë për Kosovën.