FFK-ja, e shqetësuar për mosrespektimin e masave nëpër ndeshje

1 muaj më parë

FFK-ja, e shqetësuar për mosrespektimin e masave nëpër ndeshje

Komisioni Shëndetësor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) është i shqetësuar për mosrespektimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit nëpër ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll.

Duelet e elitës së futbollit kosovar po luhen pa praninë e shikuesve që nga rifillimi i kampionatit në fillim të muajit të shkuar pas një pauze prej gati tre muajve, transmeton KOHA.

Të vetmit që po lejohen të futen nëpër stadiume janë zyrtarët e ndeshjeve, të klubeve, gazetarët dhe përfaqësues të FFK-së. Zyrtarët shëndetësorë të FFK-së janë duke i monitoruar të gjitha ndeshjet dhe kritikat kanë ardhur pikërisht prej tyre.

Këto kritika janë drejtuar tek përfaqësuesit e klubeve që, sipas FFK-së, nuk po iu përmbahen masave nëpër ndeshje, të përpiluara nga institucionet përgjegjëse. Prej përfaqësuesve të klubeve është kërkuar që gjatë qëndrimit në tribuna të mbajnë maskat dhe distancën sociale me njëri-tjetrin.

Por, një kritikë të tillë nuk e ka pasur edhe për futbollistët, stafin e trajnerëve dhe ekipet mjekësore. “Udhëzuesi i masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, i përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, për rifillimin e Superligës, nuk po respektohet plotësisht. Masat mbrojtëse janë duke u monitoruar nga zyrtarët shëndetësorë të Federatës së Futbollit të Kosovës në të gjitha ndeshjet. Zyrtarët e të gjitha klubeve të Superligës (pa përjashtim), që po qëndrojnë në tribuna gjatë ndeshjeve nuk po i respektojnë masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit Covid19”, thuhet në reagimin e KSH të FFK-së, të mërkurën.