Festivali “Mirëdita, dobar dan!” prezanton kulturën e Kosovës në Serbi

3 vite më parë

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” prezanton kulturën e Kosovës në Serbi

Për herë të katërt, publiku i Beogradit do të ketë mundësinë për të ndjekur festivalin i cili do të paraqes skenën e re kulturore të Kosovës.

Ideja e festivalit është të inicioj shkëmbimin e ideve artistike dhe të krijoj një traditë bashkëpunimi në një mjedis unik kulturor përmes një sërë takimesh të komuniteteve kulturore dhe sociale të Serbisë dhe Kosovës. Në këtë mënyrë, ata do të kontribuojnë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, shkruan KultPlus.

Vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes shfaqjeve teatrore, filmave, koncerteve dhe ekspozitave. Përveç kësaj, një pjesë e festivalit do t’i kushtohet debateve me tema të ndryshme që janë të rëndësishme për të dy shoqëritë.

Hapja e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” këtë vit do të mbahet në Qendrën Rinore të Beogradit më 31 Maj, me shfaqjen e filmit të shkurtë “Shok” me regji të Jamie Donoughue, i nominuar për çmimin prestigjoz të Oskarit në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtë në vitin 2015.

Festivali do të mbahet nga 31 Maj deri më 3 Qershor 2017 në disa vende në Beograd dhe hyrja në të gjitha ngjarjet, si në vitet e mëparshme, do të jetë falas.