Fenomene që shpjegohen nëpërmjet vargjeve epiko-lirike

2 muaj më parë

Fenomene që shpjegohen nëpërmjet vargjeve epiko-lirike

(Zade Kuqi, “Infinitin e kristaleve po e thërmoj”, përmbledhje me poezi, botues Shtëpia Botuese „Pjetër Bogdani“, Prishtinë 2019)

Shkruan: Zeqir Bekolli

Shtëpia botuese “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, nxori në dritë përmbledhjen e XII të poetes së njohur Zade Kuqi, me titull: “Infinitin e kristaleve po e thërmoj”, e cila në vete përmban poezi me përmbajtje epiko – lirike. Ky lloj letrar, që konsiderohet ndër më të vështirët, po shkruhet me sukses nga poetja Kuqi e cila, viteve të fundit,me poezitë e saja shpërtheu si një “vullkan”, që nuk shteron duke synuar me të drejtë majat e poezisë shqipe.

Irracionalja e pranishme kudo

Përmbledhja niset me poezinë “Koha ka gabuar filozofinë e saj”, në të cilën autorja, duke marrë për krahasim si personazh Diogjenin, një filozof i periudhës antike, përpiqet t’i portretojë diogjenët e ditëve të sotme, të cilët sipas saj e kalojnë kohën dhe natën duke shikuar futboll e luajtur bixhoz, të rrethuar nga dashnoret nëpër shtretër aventurierësh. Me një fjalë, Kuqi, nxjerr në shesh të sotmen e “filozofëve” aktualë, për të dëshmuar se deri ku ka rrëshqitur realiteti nëpër të cilin po jetojmë.

Në kapitullin e parë të titulluar” Dhembja irracionale”, Kuqi do të përpiqet të ballafaqojë fenomene e dukuri, që nuk mund të shpjegohen nga arsyeja e mendja njerëzore, si në vargjet:”…braktisja do të troket ngadalë me nyjet e gishtërinjve”,…për të shtuar se “…krenare do të kthehem në planetin tim”.Një përpjekje të tillë do ta shohim edhe të vargjet në të cilat shtron edhe pyetjen pse Bodlerit, …” vargjet e tij si pjekin dot më në fast food”!Me një fjalë, irracionalja e cila nuk mund të kapet e shpjegohet nga arsyeja e logjika njerëzore pos që është e pranishme, ajo edhe dominon në vargjet e Kuqit.

Sikur në të gjitha përmbledhjet e saja te deritashme, edhe në vargjet e kësaj të fundit, haset brenga dhe preokupimi i poetes për dallimet shtresore, ndaj edhe nuk heziton të pyes: “…pse rrugët mbyllen, kur një veturë e re dhe luksoze e zezë kalon pa asnjë paralajmërim”, përballë veturave që në to raste janë të detyruara të …”presin, presin”. Ajo në shpirtin e saj do ta përjetojë këtë padrejtësi, që ndodhë në një ambient ku ka plot depono bërlloku e “…kamionët e shpresave të vdekura sorollatën si dema të këputur…”

Brenga për të varfrit dhe dallimet shtresore sikur nuk kanë të ndalur në vargjet e poetes. Ajo qanë hallin e një gruaje që jeton në një kasolle maje një kodre, në një mjerim të skajshëm, e cila për mbijetesë detyrohet ta shesë dhe gjakun e saj, apo të tregtojë trëndafila për varre, në periudhën kur “poshtë saj, panorama të çuditshme mbushin hapësirën që kundërmon beton e hekur”. Fjala është për pallatet shumëkatëshe që mbijnë si kërpudhat pas shiut e të cilave nuk iu dihet burimi i mjeteve.

Në shënjestër të pendës së saj janë edhe krimet çnjerëzore të sistemit totalitar ndaj të burgosurve dhe të persekutuarve shqiptarë pse kishin një mendim ndryshe. Ajo te vargjet e poezisë “Natë e kësaj toke që kurrë s’do të harrohet” preokupohet me rastin makabër ndaj poetit Vilson Blloshminit, të cilin, pas torturave çnjerëzore mbi trupin e tij, e kishin tërhequr zvarrë drejt zonës së pushkatimit duke “… ia shkulurnga damarët blerimin e malit nga ëndrra e tij…, duke “ … ia zhvatur nga sytë dhembjen e Shqipërisë”.

Kuqi do ta përjetojë rëndë edhe rastin e Tom Ndojes, një djalosh i ri që protestoi në burgun e Spaçit, të cilin hetuesit e kishin marrë nga oborri i burgut, nënë dridhjet dhe gjëmat të cilat ishin aq të rënda saqë dëgjoheshin nga Tirana në Prishtinë. Me këtë, Kuqi dëshiron të porosisë publikun demokratik shqiptar, që të mos i harrojë ngjarjet makabre të sistemit totalitar, siç ishte rasti i Tomës së ri, i pushkatuar, të cilit ia shkulën edhe sytë.

Antikiteti dhe lashtësia

Antikiteti dhe lashtësia jonë assesi t’i shpëtojnë vargut të Kuqit. Ajo është e njohur për brengen që ka për popullin e saj, të parët e saj, pellazgët. Mbi këtë bazë do t’i këndojë Gadishullit Ilirik që kishte një shtrirje të madhe, gjurmët e të cilit hasen sot kudo, qoftë në Kroaci, Bosnje e deri te lumi Danub. Edhe pse me një shtrirje dhe një histori të tillë, pasardhësit e pellazgëve, sot, poetja do t’i shikojë me dhembshuri, dhe për këtë fajëson gjyshërit që sipas saj “…kishin hedhur farën e gabuar të historisë” dhe pikërisht për këtë “…edhe fëmija lindi me të meta” e “kurrë nuk u rrit” për shkak të një “shenje të keqe të varur në qafë”, që nënkuptojnë ideologjitë, të cilat u bënë shkaktaree mos zhvillimit dhe përparimit të popullit tonë. Pavarësisht nga kjo, poetja nuk e humbet shpresën, ajo pret që “…serish të lind dielli në këtë tokë të përjetshme”, shumë të pasur me dete, pemë e male të pafund. Ose në çastin kur i bën një përshkrim Pallatit mbretëror të Trojësdhe çastit kur Hekuba, mbretëresha e Trojës dhe nëna e princërve trojan dhe gruaja e Priamit, u thirr në gjykatore, ku kërkohej flijimi i nipit të saj, në çastin e mallkimit “ vuri dorën mbi rrënojat e themeleve të ADN-së sonë”.

Se çdo pëllëmbë të atdheut e konsideron si pjesë të trupit të saj, dëshmon edhe poezia “Prandaj të them , Shkodër”, ku i drejtohet qytetit të vjetër, të kulturës shqiptare, Shkodrës edhe me këtë varg : “ Një derëz zemre mbaj gjithmonë për ty”, me ç’rast dëshmon sa i dashur është qyteti i lashtë i Shkodrës për të, si kryeqytet i lashtë i Gegërisë.

Një karakteristikë që e përshkon, jo vetëm këtë përmbledhje, por edhe mbarë poezinë e Kuqit, është eliminimi i temave tabu. Ajo, realitetin e përshkruan ashtu siç edhe e sheh e ndjen vet. Për të nuk ka asnjë mister në rrafshin e moralit. Atë e sheh si një realitet, pa kurrfarë maskash. Ndoshta është ndër poetet dhe poetët e parë shqiptarë që i qaset kësaj fushe, në këtë mënyrë duke e zhveshur nga “velot” e turpit dhe për një kategori, lexuesish po konsiderohet si tepri.

Pavarësisht edhe kritikave të kësaj natyre, Kuqi ka vazhduar me stilin e vet, që e bën të veçantë, dhe në të njëjtën kohë duke futur risi në poezinë tonë bashkëkohore. Sa për ilustrim po përmendim vargjet: ”Fillo tash, lëpij gishtin e madh të këmbës,…ma drithërovagjinën…”. Kjo që konsiderohet si stil i veçantë, më së miri vërehet të këto vargje të poezisë “Mbi urë kohësh.

Pos stilit, figurave stilistike, simbolikës, te poezia e Kuqit gjejmë edhe krahasimet nga më të ndryshmet. Ndër to që meriton të veçohet është krahasimi që i bën njeriut me letrën, me lapsin kimik si në rastet:”Njeriu është shpesh letër, veç një fletë e bardhë A4”,…është shpesh “… laps kimik,…”.

Të gjitha këto që i gjejmë në këtë libër dhe të tjera që mund të gjenden, flasin për veprën, tash madhore te Zade Kuqit, për cilësinë dhe talentin e saj në fushën e poezisë bashkëkohore shqipe.

Libri i radhës: ”Identitetin e kristaleve po e thërrmoj” është në shtatë cikle, me 199 faqe./AktivPress/