Express: Turqia në gjah edhe të një gylenisti në Kosovë

3 vite më parë

Express: Turqia në gjah edhe të një gylenisti në Kosovë

Një listë për ekstradimin e tetë shtetasve turq, të etiketuar si përkrahës të Fetullah Gulenit, Ministria e Drejtësisë e Turqisë ua ka dorëzuar zyrtarisht nga mesi i muajit tetor autoriteteve kosovare. Të tetë këta persona, sipas Turqisë, janë pjesë e organizatës “FETO” të Gulenit, kundërshtarit të Presidentit Erdogan. Dy prej tetë emrave, sipas shkresës zyrtare, dyshohet se ndodhen në Kosovë. Njëri prej tyre është arrestuar të shtunën në Prizren, dhe i janë caktuar 40 ditë paraburgim.


Ministria e Drejtësisë e Turqisë, më 16 dhe 19 tetor 2017, me anë të një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga autoritetet kosovare ekstradimin e dy shtesave turq që janë banorë të Kosovës.

Në mesin e tyre është Ugur Toksoy, i arrestuar të premten e javës që shkoi dhe ndaj të cilit janë caktuar 40 ditë paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për të cilin ndërkohë do të vendoset për ekstradim.

Burime të Gazetës Express tregojnë se Toksoy nuk është i vetmi shtetas turk që po ndiqet nga Policia e Kosovës, me anë të një urdhër arresti ndërkombëtar. Shkresa zyrtare e shtetit turk për Kosovën kërkon edhe arrestimin e një tjetër banori të Kosovës, me prejardhje turke, e që dyshohet se është përkrahës i Fetullah Gulenit.

E njëjta shkresë, siç shkruan Gazeta Express, përmban gjithsej tetë emra të shtetasve turq për ekstradim, që sipas vendit të tyre të lindjes dyshohen se janë pjesë e grupit “FETO”, që për presidentin Erdogan është terrorist.

Gjashtë të tjerët, në shkresë thuhet se janë banorë të shteteve tjera të kontinentit, ndaj Turqia zyrtare të njëjtën shkresë e ka shpërndarë edhe në vendet tjera përkatëse.

Të gjithë këta, Turqia i kërkon për ekstradim për t’i gjykuar si të dyshuar për pjesëmarrje në “organizata të armatosura”. Referuar kështu organizatës “FETO”, që sipas Erdogan, qëndrojnë prapa puçit të dështuar ushtarak në Turqinë, verën e vitit 2015.

Të martën gjatë ditës, Gazetës Express nuk i është konfirmuar kjo shkresë nga autoritetet kosovare e as nga Ministra e Jashtme e Kosovës, përkundër se janë kontaktuar zyrtarë të institucioneve përkatëse.

Megjithatë, shkresa në fjalë, NO:2017/90598613 dhe NO:2017/12967448 e datave 16 dhe 19 tetor 2016, bëhet e ditur në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për përmbajtjen e të cilës Express ka raportuar të hënën.

As Policia e Kosovës, të martën, nuk ka treguar nëse janë në ndjekje të një tjetër shtetasi turk, banor i Kosovës, përveç Ugur Toksoy-t që u kap të premten pasdite.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha urdhër arrestet e ligjshme, si ato vendore dhe ndërkombëtare, i realizon konform autorizimeve ligjore që ka”, thuhet në një përgjigje të Policisë.

Derisa, Zyra për bashkëpunim ndërkombëtar e PK-së nuk ka dhënë përgjigje në interesimin e gazetës.

Por, derisa për Policinë e Kosovës urdhër arrestet e shtetit turk janë të ligjshme, të shtunën në gjykatë, avokati i turkut Toksoy, Adem Vokshi, tha se pretendimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj klientit të tij, për të cilin kërkohet ekstradimi në Turqi, janë të pajustifikueshme.

Sipas Vokshit, përveçse nuk dëshmohet se teologu turk, banor i Prizrenit, është pjesë e organizatës së Fetullah Gulenit, për më tepër as organizata në fjalë nuk figuron në asnjë organ ndërkombëtar si terroriste.

“Cilësimin si terroriste e bën Organizata e Kombeve të Bashkuara, gjë që në këtë rast nuk është bërë, këtë nuk e ka bërë as Departamenti Amerikan i Shtetit. Kaq sa i përket kësaj organizate e cila quhet terroriste vetëm nga shteti i Turqisë, por jo edhe nga ndonjë organizatë terroriste”, i kishte thënë avokati Adem Vokshi të shtunën trupit gjykues në Prishtinë.

Po ky avokat thotë se klienti i tij në rast ekstradimi mund të jetë pre e torturave çnjerëzore nga autoritetet turke, vetëm pse supozohet se është përkrahës i klerikut Fetullah Gulen.

“Neni 17 i Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, nënparagrafi 2, thekson se ekstradimi nuk do të lejohet nëse ekzistojnë shkaqet e arsyeshme se personi i kërkuar mund t’i nënshtrohet torturës apo trajtimi mizor, çnjerëzor, poshtërues ose ndëshkimit”, i ka thënë Vokshi Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Fetullah Gulen, që sot për presidentin turk Recep Tayipp Erdogan është ideolog i një grupimi terrorist, dikur ishte partner i ngushtë i tij në politikë.

Imami Fethullah Gylen udhëheq lëvizjen “Hizmet” nga ekzili i tij në ShBA. Lëvizja e tij është edhe lëvizje politike, edhe korporatë biznesesh e fokusuar shumë në krijimin e institucioneve private të arsimit, përmes të cilave shpërndahen mësimet e këtij kleriku.

Për Turqinë e Erdoganit lëvizja e Gylenit më nuk është politike, por është thjesht “Organizata terroriste FETO”.

Në vitin 2016, pas puçit ushtarak në Ankara e Stamboll, edhe pse para këtij akti të dështuar të ushtrisë për ta rrëzuar islamikun Erdogan nga pushteti, partia AK Party e Erdoganit dhe vetë ai si President kishin filluar një fushatë të egër kundër kësaj lëvizjeje.

Ata e akuzonin se “Hizmet” që si lëvizje kishte arritur të krijonte një shtet paralel brenda shtetit turk, me policë, gjykatës e prokurorë që punonin në institucionet e shtetit turk, por për interesat e Fethullah Gylenit.

Lëvizja e Gulenit ka shtrirje edhe në Kosovë, përmes shkollave private që ka krijuar me vite këtu, ku në njërën prej tyre shkollimin e ka bërë edhe i biri i vetëm i Presidentit Hashim Thaçi, Endriti.

Një nga kërkesat e para të Turqisë për Kosovën pas puçit të dështuar ishte edhe mbyllja e këtyre shkollave të lëvizjes “Hizmet”, kërkesë që me automatizëm nuk iu pranua nga Kosova, por së fundi ka lëvizje në drejtim të përmbushjes së kërkesave të Erdoganit për sivëllain e tij, Hashim Thaçi.

Dyshimet se ka qenë pjesë e këtyre organizimeve i ka mohuar kategorikisht të shtunën në gjykatë 40-vjeçari turk i arrestuar në Prizren.

Ai tha se nuk ka udhëtuar që dy vjet në Turqi, dhe s’ka pasur si të jetë pjesë e ndonjë grupimi të tillë.

“Kjo shihet edhe në pasaportën time se kur kam qenë në Turqi”, i ka thënë gjykatës teologu turk që në Kosovë punon në fondacionin kulturor-arsimor ‘Atmosfera’ me qendër në Prishtinë, nga të cilët shtoi se paguhet 500 euro në muaj.

“Unë nuk kam kurrfarë lidhjesh me terror, unë isha i befasuar kur dëgjova se ndiqem për këtë punë”, i ka thënë i njëjti gjyqtares Alltën Murseli, në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

E njëjta gjyqtare, të njëjtën ditë caktoi 40 ditë paraburgim për të lindurin në Hatay të Turqisë, deri në marrjen e vendimit për ekstradimin e tij, për dyshimet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”. / GazetaExpress