Erdhi nga Zvicra për të investuar, por fqinjët e pengojnë (Video)

2 vite më parë

Erdhi nga Zvicra për të investuar, por fqinjët e pengojnë (Video)

Shumë mërgimtarë kanë investuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në Kosovë në formë të ndryshme, por ka raste edhe kur pengohen. I tillë është rasti edhe i Adem Elshanit nga fshati Nagavc i Rahovecit, i cili ka ardhur nga Zvicra për të investuar.

Ai kë rrëfyer për emisionin “Drejtësia në Kosovë” se erdhi nga Zvicra për të investuar, mirëpo shteti u dorëzua para disa personave që nuk e lejuan të hapë rrugën drejt arës së tij.

“Kam qenë në Zvicër, që 15 vjet kam punuar atje dhe kam ardhur me investu në Kosovë, mirëpo po kam problem me disa kojshi te mi se s’po me lejojnë me hapë rrugën, masnej kam shku ne komunë dhe ata me kanë thanë që ajo është rrugë dhe ka me qenë rrugë, po rruga su hap ende”, është shprehur Elshani, përcjell albinfo.ch.

Zyrtari kadastral i Komunës së Rahovecit Nazmi Krasniqi, the se rruga për të cilën Elshani po flet ne regjistrat kadastralë figuron si rrugë që nga viti 1959.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi tha se e di mirë situatën, ndërsa tregoi se duke vepruar ngadalë për t’i ikur një konflikti në mes të banorëve. Zyrtarë të Zyrës për Informim të Policisë së Gjakovës nuk deshën të  tregojnë para kamerës për ngjarjet e fshatit Nagavc duke u mjaftuar me vetëm një përgjigje me shkrim.

“Policia është njoftuar për këtë çështje e cila konsiderohet se është kontest civil. Zyrtarët policorë kanë asistuar zyrtarët komunalë në këtë rast me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga Drejtoria për Gjeodezi”, sqaroi kjo zyrë.

Policia e Gjakovës ka hapur një rast të kanosjes për problemin rreth rrugës që nuk i lejoi investimet biznesmenit Elshani.

“Lidhur me këtë çështje është iniciuar një rast kanosjeje ndaj një qytetari, i cili kishte kanosur zyrtarin komunal. Policia ka ushtruar kallëzim penal ndaj personit të dyshuar dhe rasti i është dorëzuar prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Gjakovës për Emisionin “Drejtësia në Kosovë”, që zbuloi se rasti i kanosjes është hapur ndaj Nebih Elshanit.

Nebih Elshani edhe pse tash i akuzuar, ende vazhdon të pretendojë se rruga nuk do të hapet. Njësoj si Elshani mendojnë edhe të afërmit dhe fqinjët e tij. Por ndryshe nga prokuroria dhe policia që janë angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Rahovecit nuk ka paraqitur kallëzim penal, edhe pse banorët që nuk po i lejojnë rrugë drejt pronës së tij Adem Elshanit, i konsideron uzurpatorë.

“Sipas Zyrës Ligjore të Komunës së Rahovecit dhe inspektorëve të komunës, kjo komunë ju njofton se nuk ka bërë asnjë kallëzim penal që lidhet më bllokimin e rrugës në fshatin Nagavc”,u përgjigj Zyra për informim e Komunës së Rahovecit.