Emërimi i djalit të Haxhi Shalës konsull në Pragë ngjall reagime

2 muaj më parë

Emërimi i djalit të Haxhi Shalës konsull në Pragë ngjall reagime

Raportimet për emërimin konsull të djalit të deputetit Haxhi Shala, Flakron Shalës, në Pragë të Republikës Çeke, ngjallën shumë reagime se ky ishte pazari që bëri Shala bashkë me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, një natë para se të votohej Qeveria Hoti.

Lumir Abdixhiku, ish-ministri i LDK-së në Qeverinë Kurti, kritikoi një emërim të tillë duke thënë se është demotivim për të gjithë të rinjtë që studiojnë me synimin për të përfaqësuar Kosovën, njofton Klan Kosova.

“Konsull lind, s’bëhesh! Shënim për gjithë të shkolluarit e shkretë, vajzat e djemtë më t’zot të shtetit, që ëndërrojnë t’i shërbejnë vendit me nder. Dhe habitemi pse vite më pas diplomacia serbe rrotullon historinë e fundit me ne”, shkroi Abdixhiku.

Ndërkaq, drejtori i Institutit për Drejtësi Ehat Miftaraj, bëri disa llogari se sa në total do t’i kushtojë popullit “gjygymi i çajit që e kanë pirë Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Haxhi Shala”.

“Sa do të na kushtojë neve popullit të Kosovës, gjygymi i çajit që e ka pi Hashim Thaci dhe Ramush Haradinaj te Haxhi Shala në Malishevë??? Një matematikë e thjeshtë. Paga e konsullit nëse nuk gaboj është 3200 Euro në muaj. Mandati është tre vite, që nënkupton 115.200 Euro vetëm pagë. I paguhet qiraja e banesës, që minimum do të jetë le të themi 700 euro në muaj. Mbi 25.000 Euro. Biletat e aeroplanit, shpenzime tjera gjatë qëndrimit në misionin diplomatik për tre vite së paku 20.000 euro. 115,200 Paga. 25.000 Qiraja. 20.000 Shpenzime tjera. 160.200 EURO. Totali. Natën e mire”, shkroi ai në Facebook.

Klankosova.tv për këtë emërim ka tentuar të merr përgjigje nga vetë Shala, por ai s’është përgjigjur. Po ashtu, edhe partia e Shalës, AAK-ja, nuk ka thyer ndonjë përgjigje nëse emërimi ka qenë politik.

Derisa as Presidenca që tash udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës Vjosa Osmani nuk dha përgjigje, nga Qeveria e Kosovës, drejtoresha e Zyrës për Informim Antigona Baxhaku, ka thënë se po bëhet rishikimi i gjithë stafit diplomatik.

“Aktualisht është duke u bërë rishikimi funksional i gjithë stafit diplomatik dhe në momentin që të përfundojë ky proces, Zyra e Kryeministrit do të dërgojë propozimet konkrete në Zyrën e Presidentit”, tha Baxhaku për klankosova.tv.

AKTIV PRESS