Elona Agolli: Po të dhurohej jeta, do ta jepja për ty

4 vite më parë

Elona Agolli: Po të dhurohej jeta, do ta jepja për ty

Vajza e shkrimtarit të ndarë sot nga jeta, Dritëro Agolli, pak ditë më parë postoi një dedikim prekës për babanë e saj.

Elona Agolli, në një status në Facebook, në një moment dobësie flet për çastet e fundit të jetës së shkrimtarit të madh.

Elona e bëri postimin më 23 janar, ndërsa ndodhej në Londër, ku tregon se shkrimtari e kishte porositur për t’i blerë bojë.

“Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën. Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse.

Ati im më ndje; unë jam me Luelin e duhet të jem e gëzuar në sytë e tij, paçka se zemra pikon lot, paçka se mendjen e kam tek ti. Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jepja për ty; nëse do të mund të transferohej gëzimi, unë do të bëja çmos të të lumturoja.

Sot të bleva një shishe bojë e një pompë për stilografin tënd. Siç ma dhe porosinë para se të nisesha. Kur të kthehem, do të t’i tregoj dhe e di që do kënaqesh. Do mbushësh penën tënde, që aq ka gërvishur letrën e aq vargje e radhë ka shkruar. Të dua shumë Ati im. Londër, 23 janar”, ka shkruar ajo. /Panorama/