Eksplodon bombola, 15 të lënduar në një restorant të Gjenevës

3 vite më parë

Eksplodon bombola, 15 të lënduar në një restorant të Gjenevës

Një eksplodim i fortë në kuzhinën e një restoranti në Gjenevë të Zvicrës, pasditen e së shtunës ka lënduar 15 persona. Bombola e gazit për karamelizim të artikujve ishte hedhur në ajër.

Sipas një informate të komandantit të njësisë zjarrfikëse Frédéric Jaques, alarmi kishte ardhur rreth orës 13:15, shkruan «Tribune de Genève», përcjell Albinfo.ch.

Sipas kësaj informate, dy kuzhinierë kanë pësuar djegie të lehta, ndërsa ata i ka përfshirë edhe shtypja e eksplodimit.

Përmes presionit të eksplodimit, dritaret e restorantit u thyen duke u shpërndarë në pjesën e jashtme. Personeli i restorantit dhe mysafirët pësuan gërvishtje të ndryshme.

Gjithsej, 15 persona u lënduan, tetë prej të cilëve janë dërguar në spital për kontroll më të hollësishëm.

Gjatë këtij aksidenti, u mobilizuan 21 pjesëtarë të njësisë zjarrfikëse dhe 12 automjete. Në drejtim të restorantit shkuan gjithashtu edhe pesë auto ambulanca, ndërsa në vendngjarje u organizua stacion për dhënien e ndihmës së parë.

Hetimet e shkakut të aksidentit janë në rrjedhë e sipër.