Ekspertja e sigurisë: Pozitive rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes

1 muaj më parë

Ekspertja e sigurisë: Pozitive rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes

Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2022-2024 e miratuar në mbledhjen e Qeverisë e cila u mbajt ditë më parë ka paraparë që duke filluar nga viti i ardhshëm, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes të jetë mbi 100 milionë euro. Ekspertja e Sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është pozitive ngritja e buxhetit për një sektor të rëndësishëm për vendin.

Sipas saj, ndryshimi i mandatit të FSK-së për të përfshirë mbrojtjen e vendit dhe krijimi i Ministrisë së Mbrojtjes kanë një plan transformimi 10 vjeçar që ka implikime buxhetore.

“Fillimisht, është shenjë e mirë që është miratuar Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2022-2024, ku mund të shihet qartë se si do të orientohen shpenzimet e Qeverisë së RKS-së, brenda së cilës, edhe në fushën e mbrojtjes. Është pozitive të shohësh ngritje të buxhetit për një sektor me kaq rëndësi për vendin, siç është sektori i mbrojtjes. Sidomos duke pas parasysh se ndryshimi i mandatit të FSK-së për të përfshi mbrojtjen e vendit dhe krijimi i Ministrisë së Mbrojtjes kanë një plan transformimi 10 vjeçar, që ka implikime specifike buxhetore, duke u nis nga ndryshime legjislative, e deri te ngritja e kapaciteteve njerëzore, infrastrukturore e teknike”, vlerësoi ajo.

Kabashi-Ramaj po ashtu tha se sa ky buxhet është adekuat, varet nga shtrirja e këtyre ndryshimeve përgjate viteve dhe analizave adekuate financiare për këto ndryshime.

Ajo theksoi se rishikimi i sektorit të sigurisë, i cili në vitin 2014 kishte dalë me rekomandime konkrete për ndryshimin e mandatit të FSK-së dhe implikimeve buxhetore, kishte paraparë një plan zhvillimor 10 vjeçar, ku siç tha Kabashi-Ramaj, ndryshimet graduale do kërkonin përafërsisht pesë milionë euro shtesë çdo vit.

“Por natyrisht, duke marrë parasysh ndryshimet në ekonomi, inflacionin, që nga viti 2014, kur këto rekomandime u publikuan, kostoja tani është më e lartë, dhe varet në atë se si është shtrirë transformimi dhe zhvillimi i FSK-së për misionin e ri”, u shpreh ekspertja e sigurisë.

Megjithatë siç vlerësoi ajo çka ende i mungon institucioneve të RKS-së, dhe ju ka munguar në vazhdimësi, është funksionalizimi i procesit se si politikat shtetërore karshi sigurisë, transmetohen deri në alokim të buxhetit.

“Në këtë aspekt, RKS-së i mungon një rishikim periodik e gjithëpërfshirës i mbarë sektorit të sigurisë (RSSS e fundit ka ndodhë në vitin 2012-2014), si dhe një Strategji Kombëtare e Sigurisë që reflekton kontekstin aktual të sigurisë brenda në vend, në rajon dhe globalisht. Një strategji e tillë pastaj, në bazë të vlerësimeve të kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale, do t’i qartësonte prioritetet kombëtare në sektorin e sigurisë, ku do përfshiheshin shumë më shumë institucione se sa MM/FSK, MPB e AKI, dhe ku do qartësoheshin prioritetet e strategjive…”, tha Kabashi-Ramaj.

Gjithashtu, ekspertja e sigurisë vlerësoi se një strategji e tillë do të prioritizonte edhe ndarjen e buxhetit, por edhe do të mundësonte krijimin e qartësisë për investimet që RKS bën në mbarë sektorin e sigurisë.

Ndryshe, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ditë më parë ka thënë se me rritjen e konsiderueshme të buxhetit, Qeveria Kurti po tregon përkushtimin e saj për një ushtri moderne. /Telegrafi/