Ekspertët e drejtësisë vlerësojnë se arrestimet dëshmojnë se dosjet janë të Speciales

4 javë më parë

Ekspertët e drejtësisë vlerësojnë se arrestimet dëshmojnë se dosjet janë të Speciales

Njohësit e drejtësisë vlerësojnë se arrestimet e së premtes dëshmojnë se dosjet janë të Speciales.

U paraqitën në mesditë, për të përfunduar aksionin e tyre në mbrëmje.

Policë të Eulexit, e hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për orë me radhë bastisën zyrat e OVL-UCK-së.

E mënyra se si ndërkombëtarët kryen këtë aksion nuk u mirëprit nga qytetarët.

Por, këtë operacion në kuadër të ligjit e ka vlerësuar kryeministri Avdullah Hoti.

Ai ka reaguar një ditë pas operacionit, duke thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të pa tjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri.

Si të ligjshme këto veprime po i sheh edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Ndonëse nga organizata kundërshtuan arrestimet, sipas Miftarajt shpërndarja e dosjeve të Gjykatës Speciale paraqet pengim të drejtësisë.

Madje ai shton se nga kjo organizatë duhet të kujdesen në publikimin e informatave, pasi që mund të ketë edhe arrestime të tjera.

Por, Miftaraj thotë se Gjykata Speciale duhet të dalë me sqarim se çfarë masash do të merren për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Sipas Miftarajt, arrestimet e së premtes dëshmojnë se dosjet e publikuara nga OVL-UCK, janë të Gjykatës Speciale./t7