Ekonomia e tezgave

3 javë më parë

Ekonomia e tezgave

“I kahit je?” – është pyetja që gjithnjë i shtrohet Skënder Gashit prapa tezgës në pazar. Myshterinjtë e lidhin me automatizëm cilësinë e lakrave dhe të patateve me vendin e kultivimit. “Paj, nëse i thu se laknat janë prej Akllapi, myshteria menjëherë e di se çfarë lakna po merr”, tregon ai. Ka katër vjet që është zhvendosur në fshatin tjetër të Lipjanit, Konjuh, i njohur për kultivimin e kulturave bujqësore të patates, qepës e lakrës.

Me pyetjen e ngjashme përballet edhe një shitës tjetër lakrash e papatesh nga Lipjani në rrugën që shpie në tregun e gjelbër të Ferizajt, shkruan sot Koha Ditore.

“Por nëse lakna u ba në Komunën e Obiliqit, kurrkush s’e merr, se është krejt helm prej pluhnit”, thotë Isak Spahiu, derisa pret që shitësi në fund të njëzetave t’ia mbushë një thes me tridhjetë kilogramë lakra. Kilogrami, 20 centë. “Sa e ki laknën e kuqe?” – e pyet ndërkohë Spahiu burrin qimerrallë. “Një euro”, ia kthen tjetri pa shikuar. Derisa blerësi mendohet shitësi, në kamionin-tezgë, i thotë: “E ki prej shpisë”.

“Faleminderit, se rasoji nuk pihet nëse s’është i kuq”, i drejtohet Spahiu.

Çmime të ndryshme

Pak më vonë, një burrë shtyhet kot në pazar për një thes papatesh prej rreth katër kilogramësh. “Nër një euro s’kam hesap”, thotë shitësi.

89 centë është thesi në një qendër tregtare matanë rrugës në dalje të Ferizajt. Por Spahiu thotë se pavarësisht çmimit më të ulët, nuk e ndërron me shitësin e patateve e lakrave nga Ruboci i Lipjanit. Për katër centë më i lartë është edhe çmimi i lakrës në një tjetër qendër tregtare. I njëjti produkt ofrohet me dy paketime e çmime të ndryshme. Aty lakra e kuqe është 49 centë copa, apo pesëdhjetë për qind më lirë se në kamionin-tezgë.

“Çmimet nuk janë kurrkund”, thotë Gashi, në garazhet e drunjta të makinerisë bujqësore anash shtëpisë në Konjuh. I dyti prej tre djemve ua pret qepëve bishtat para se t’i hedhë në gajbe plastike. I vogli po merret me riparimin e një mekanizmi bujqësor. Me kushërinj huazojnë makineritë e njëri-tjetrit. Varësisht prej nevojave..