Edhe në Zvicër kërkojnë që t’u rikthehen vizat Shqipërisë

3 muaj më parë

Edhe në Zvicër kërkojnë që t’u rikthehen vizat Shqipërisë

Pas Holandës, edhe disa politikanë zviceranë po hedhin idenë e rikthimit të vizave për shtetasit e Shqipërisë pas kërkesës që vendet e ulëta i drejtuan Komisionit Evropian.

Këshilltari legist nga Kantoni i Ticinës, Lorenzo Quadri, ka kërkuar interpelancë me Këshillin Federal, e në aktin parlamentar citohen lëvizjet e Parlamentit holandez për të rikthyer vizat për shqiptarët në zonën Shengen dhe kërkesa e mëpasshme zyrtare e qeverisë atje drejtuar KE-së, shkruan tch.

“Detyrimi i vizave për shqiptarët”, shkruan Quadri, “u hoq në 2010-ën”.

“Që prej atëherë, ata mund të lëvizin lirshëm”, vazhdon ai, ndërsa më tej nënvizon se Parlamenti holandez e ka motivuar kërkesën e tij me “rritjen shqetësuese të krimit, veçanërisht të tipit mafioz, që vjen nga Shqipëria”.

Është theksuar se në Holandë jetojnë gjashtë herë më shumë shqiptarë sesa ato që janë deklaruar zyrtarisht dhe se sipas policisë së Roterdamit, mafia shqiptare është organizata më e dhunshme kriminale në atë qytet gjatë viteve të fundit. Një problem tjetër i ngritur është emigracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë në Holandë, veçanërisht meshkujt e rinj.

“Komisioni Evropian gjithashtu ndikon Zvicrën, pasi vendi ynë ka nënshkruar marrëveshjet e Shengenit”, janë argumentet e dhëna nga Quadri.

Parlamenti i Holandës miratoi së fundi një mocion që i kërkon qeverisë të bllokojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE për 2019. Sipas qeverisë holandeze, Shqipëria nuk ka arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ministri i Stef Blok tha se rekomandimi i komisionit evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, ishte i parakohshëm.