E quajti “rrahës bashkëshorteje”, Johnny Depp padit “The Sun”

1 muaj më parë

E quajti “rrahës bashkëshorteje”, Johnny Depp padit “The Sun”

Aktori Johnny Depp e ka paditur gazetën “The Sun” dhe kryeredaktorin e saj, Dan Wootton, për një artikull të publikuar në prill të 2018, që i referohej atij si ‘rrahës bashkëshorteje’

Depp, ka mohuar vazhdimisht akuzat se ai ka qenë i dhunshëm ndaj ish-bashkëshortes, Amber Heard. Si Depp ashtu edhe Heard mëngjesin e të martës ishin në gjykatë në Londër.

Aktori mbante një maskë të zezë si Jack Sparrow, ndërsa Amber mbante një shall të kuq që i mbulonte pjesën më të madhe të fytyrës. Amber Heard shoqërohej nga motra Whitney.

Avokati i tij, David Sherborne, tha se artikulli kishte aludime e gënjeshtra të rënda kundër Deppit, duke e akuzuar atë se kishte sulmuar bashkëshorten dhe kishte shkaktuar madje edhe lëndime serioze, të tilla që e bënin aktoren Heard të druhej për jetën e saj.

Artikulli i “The Sun”, lidhej me akuzat e bëra nga aktorja që ka qenë e martuar me yllin e filmave “Pirates of the Caribbean”, nga viti 2015 në 2017. Dëshmi, përfshirë ato të ish partnereve të Deppit, Vanessa Paradis dhe Winona Ryder, pritet të merren përmes videolidhjeve dhe gjyqi do të zgjasë të paktën tre javë/BW.