E quajti “bombë me sahat”, Bosnje Hercegovina i reagon Macronit

6 ditë më parë

E quajti “bombë me sahat”, Bosnje Hercegovina i reagon Macronit

Politikanë dhe liderë të komunitetit mysliman boshnjakë kanë dënuar deklaratat e presidentit francez Emanuel Makro për Bosnjë-Hercegovinën. Kreu i pallatit Elize, në një intervistë për britaniken “The Economist”, e krahasoi vendin me një “bombë me sahat” që rrezikon rajonin e Ballkanit.

Ai iu referua luftëtarëve boshnjakë që luftuan për Shtetin Islamik dhe që pas arratisjes prej andej po synojnë të kthehen në vendlindje.

“Nëse ka ndonjë merak për rajonin, arsyeja nuk është Maqedonia, as Shqipëria, por Bosnjë-Hercegovina. Është një bombë me sahat që pulson afër Kroacisë, dhe që problem ka kthimin e xhihadistëve,” u shpreh Makro.

Presidenti i Bosnjës për komunitetin kroat kërkoi të premten që ambasadori i Francës në Sarajevë të japë shpjegime për komentet. Zëdhënësi i komunitetit mysliman në vend i cilësoi deklaratat “skandaloze”.

“Në Siri dhe Irak kanë shkuar gati 300 qytetarë boshnjakë, shumica gra dhe fëmijë. Franca ka 1,900 të tillë dhe pret kthimin e 450 xhihadistëve në atdhe. S’e kuptoj se si Bosnja paska një problem më të madh sesa Franca,” deklaroi Muhamed Jusiç.

Analistët politikë në Europë çmojnë se pikëpamjet e presidentit francez në çështjet e Ballkanit vijnë nga injoranca dhe arroganca.

Ish-ministri boshnjak Reuf Bajroviç tha se Serbia e Rusia bashkë janë një kërcënim më i ngutshëm për rajonin sesa terroristët e aluduar të Francës./oranews