E nominuara e SHBA për ambasadore në Shqipëri, seancë dëgjimore në Senat

1 muaj më parë

E nominuara e SHBA për ambasadore në Shqipëri, seancë dëgjimore në Senat

Senati Amerikan ka caktuar datën e seancës dëgjimore me të nominuarën e presidentit Donald Trump për ambasadore në Shqipëri. Burime diplomatike i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se e nominuara Yuri Kim do të përballet me Senatin më 29 tetor 2019.

Nëse pas kësaj seance dëgjimore Senati do t’i japë dritë jeshile, atëherë me gjase fillimi i vitit 2020 do ta gjej zonjën Yuri Kim si ambasadore në Tiranë.

Yuri Kim është zyrtare e lartë e Shërbimit të Jashtëm amerikan, e cila ka punuar në poste kryesore dhe ka mbuluar rajone të shumta, duke përfshirë Kinën, Korenë e Veriut, Turqinë, Irakun dhe NATO-n. Ajo ka qenë Shefe e Shtabit të Zëvendës-sekretarit të Shtetit, 2015-2017, si dhe ka drejtuar Zyrën për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politike-Ushtarake.

Kim ka qenë Konsulle Politike në Ankara dhe në Bagdad dhe anëtare e delegacionit të SHBA-së në bisedimet që synojnë denuklearizimin të Koresë së Veriut.

Që prej majit të 2018-ës, Ambasada e SHBA në Tiranë nuk ka një drejtues, pas largimit të ambasadorit Donald Lu./TCh