E doktoruara në Sorbonë dhe përkushtimi i saj për Kosovën

3 vite më parë

E doktoruara në Sorbonë dhe përkushtimi i saj për Kosovën

Safete Juka, vajza e Musa Jukës nga Shkodra, tre herë ministër gjatë Republikës dhe Mbretërisë shqiptare, u arratis bashkë me familjen në vitin 1945 kur komunistët erdhën në pushtet. Në fillim migruan në Turqi, pastaj në Egjipt dhe së fundmi në Amerikë.

Gazetari dhe studiuesi, Bajram Mjeku ditë më parë ka sjell një biografi të shkurtër për këtë vajzë.

“Safete Juka e njohur edhe si Sophia, kreu Institutin Nana Mbretneshë në Tiranë. Studimet i vazhdoi në Vjenë dhe doktoroi në Sorbonë të Parisit. Gjatë kohës sa qëndroi në Vjenë, u njoh me Leo Frojdnlih, autorin e librit “Golgota shqiptare”, në të cilin shkruan për masakrat serbe kundër shqiptarëve në vitet 1912 – ’13.

Për tetëdhjetë vjet Golgota u mbulua nga pluhuri i harresës. Gjatë regjimit komunist, libri u la në harresë. Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë komuniste dhe Austrisë u vendosën në shkurt të vitit 1956. Ambasadori i parë shqiptar në Vjenë, Gaqo Nesho i dorëzoi kredencialet në mars të vitit 1962. Nesho, do të ketë qenë në dijeni për librin e Leo Frojdnlih, por pëlqente heshtjen. Botimi i Golgotës do të prishte kurorëzimin e pashpallur midis partive simotra komuniste; shqiptares dhe jugosllaves.

Dr. Safete Juka ka ligjëruar edhe në Universitetin Georgetown në Washington. Në vitin 1984, shkruajti monografinë me titull: “Kosova: Shqiptarët në Jugosllavi në dritën e dokumenteve historike”.

Në vitin 1982, dr. Safete Juka organizoi një konferencë shkencore për Kosovën në Nju Jork. Çështjen e Kosovës e konsideronte fundamentale.

Dy vjet më vonë në arkivin e Universitetit të Harvardit, gjeti kopjen e vetme të Golgotës dhe e përktheu në gjuhën angleze. Në vitin 1992, dorëshkrimin në anglisht Juka ia dërgoi një shtëpie botuese në Hamburg. Për habinë e të gjithëve, botuesi gjerman Hans Peter Ullmann vendosi ta botonte në tre gjuhë; riprodhoi tekstin origjinal në gjermanisht dhe e botoi në gjuhën kroate. Nga anglishtja në kroatishte, libri u përkthye nga dijetari kroat dr. Stevo Tomkin dhe miku i tij dr. Slavko Leban. Një kopje të librit Juka ia dërgoi edhe presidentit amerikan, Bill Clinton pak muaj para se të niste bombardimi i NATO-s kundër caqeve serbe. Presidenti Clinton e falënderoi Jukën për librin përmes një letre personale.

Golgota shqiptare për herë të parë në gjuhën shqipe u botua në vitin 1995 në Tiranë, ndërsa në Kosovë u botua në vitin 2001 me titull ndryshe: Shfarosja e shqiptarëve.

Konferenca për Kosovën në Nju Jork e organizuar nga Juka bëri kthesa të mëdha. Shqiptarët nisën t’i braktisin demonstratat populiste dhe çështjen e pazgjidhur të Kosovës nisën ta trajtojnë në rrugë diplomatike. Atë që e bëri dr. Safete Juka në vitin 1982 në Nju Jork, të njëjtin vit e bëri veprimtari kosovar Enver Hadri në Bruksel. Ky i fundit, gjeti udhë për të hyrë në selinë e Bashkimit Evropian dhe dorëzoi Memorandumin për çështjen e Kosovës. Tetë vjet më vonë, Shërbimi Sekret jugosllav bëri atentat kundër tij në një udhëkryq në Bruksel.

Dr. Safete Juka ndërroi jetë në vitin 2005. As bota intelektuale, as mediat nuk i kushtuan rëndësi personalitetit dhe përkushtimit të saj për çështjen shqiptare, në veçanti çështjes së Kosovës”./Aktivpress