Dyshimet e Ramush Haradinajt: Aksioni policisë mund të jetë kryer për efekte elektorale

2 javë më parë

Dyshimet e Ramush Haradinajt: Aksioni policisë mund të jetë kryer për efekte elektorale

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sqarim nga Qeveria Kurti rreth aksionit të sotëm të Policisë në veri të vendit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, ai ka thënë se veprimet e sotme mund të jenë bërë për fushatë zgjedhore.

“Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve. Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale. Në mbështetje të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka kërkuar që të dënohen personat që kanë sulmuar Policinë e Kosovës.

“Askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës. Huliganët dhe banditët duhet të burgosën dhe shteti duhet të jetë i pakompromisë ndaj tyre. Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar”, ka thënë mes tjerash kryetari i AAK-së.