6 muaj më parë

Dy ngushëllime që s’janë më

Dy ngushëllime që s’janë më

Zëri nga të dy anët e telit prodhonte dridhje e ngashërima. Kur dëgjova se ti ishe vrarë, pyeta “e Valmiri?” Kur matanë dëgjova pohimin, pyeta për Ademin. Më thanë se gati e gjithë familja ishte vrarë në mënyrë mizore.

Së pari ndjeva një tmerr, pastaj një si ngulfatje, pastaj një mpirje, më pastaj një vaj që nuk më ndalej. Dhe pastaj, me kalimin e kohës, truri im, i ndihmuar shumë nga forca e nanës sime, ndërtoi dy ngushëllime. U ndjeva më mirë me këto ngushëllime dhe u lehtësova pakëz. Vazhdova të shikoj përpara – kisha jo vetëm një ngushëllim për ty, por dy të tilla. Dhe, këto ngushëllime më mbajtën dhe më mbështetën shumë vjet. I pari deri para 4-5 vjetësh, ndërsa i dyti ngushëllim deri dje. Deri dje, kur bashkë me fyerjet ndaj nesh dhe ndaj jush, që vijnë nga Qeveria jonë, mora edhe një informatë tjetër. Dhe, bisedova prapë me ty, sepse në këtë shoqëri duket se nuk ka mbetur më kush të dëgjojë….

Dje, jam pikëlluar më së shumti për ty në këto 16 vjet e sa, nga koha kur shkove pa na e dhënë lamtumirën. Lexova një informatë të re për ditën kur ti, Valmiri dhe familja e gjerë Deliu u vratë në mënyrë mizore nga pjesëtarët e një populli, që po vazhdon t’ju vrasë ende, edhe pas 16 vjetësh. Një popull, që tani po thonë se është më i civilizuar se ne dhe që i plotëson kushtet të hyjë ndër shoqëritë demokratike. E kuptova se në lidhje me vrasjen e Valmirit, agjencia e lajmeve Reuters, përfaqësuesi i së cilës ishte ndër të parët në vendin e ngjarjes, paska thënë: “…duket se foshnja (Valmiri pra) është rrokullisur sa ishte duke pirë gji, sapo u qëllua në kokë nga afër”, sikur që ishin qëlluar nga afër të gjitha viktimat e pafajshme në atë ditë.

Kjo më jep dhembje të shumëfishtë dhe ti, motër, s’mund të më ngushëllosh më me buzëqeshjen nga fotografia e varrit. Ka edhe arsye tjera pse më nuk mund të ngushëllohem, por për këto pak më poshtë. Kjo informatë e Reuters-it më jep një ide tjetër për ditën kur ike ti. Në ato qindra rikonstruktime të mia të ngjarjes, Ademi kishte rënë i pari, ti e kishe përcjellë atë dhe Valmiri, si një dyvjeçar i lënë vetëm, kishte nxituar t’ju arrinte. Kjo, së paku, më kishte dhënë idenë se bile në ato fraksione sekonde, kur plumbat po ta merrnin jetën, lumturisht, e dije se Valmiri ende është gjallë. Kushedi, mendoja unë i shkreti, se përkundër të gjithave, në grahmat e fundit, do të shpresoje se vrasësit do ta kursenin. Kështu mendoja deri dje!

Tash, dhembja ka trokitur përsëri në mua. E fortë, e freskët, gërryese dhe torturuese. Sepse, nëse vlen versioni i Reuters-it, atëherë, me lemeri po marr vesh se ti paske qenë gjallë ende, kur ata e kanë vrarë Valmirin. S’ka logjikë tjetër, duke e ditur pastaj pozitën e trupit tand kur shpirti yt kishte fluturuar. Dhe, që nga dje, i vetmi ngushëllim i vogël, shumë i vogël për ty, ka ikur nga unë. Përgjithmonë! Megjithatë, ditëve të fundit, kanë ndodhur edhe gjëra të tjera që më kanë rikthyer jetën dhe vdekjen tënde. Dhe jo vetëm vdekjen tënde, por edhe të gjithë atyre që janë vrarë nga një popull, që prapë po ju vret edhe për së vdekuri.

Ngushëllimi im i parë për ju – se ky ishte çmimi i lirisë, ju jeni gjenerata e fundit që e ka paguar shtrenjtë lirinë, se do të kemi shtet të pavarur, në të cilin do të kemi mundësi të shërojmë plagët dhe t’ju kujtojmë me pietet dhe dinjitet, se gjenerata e re do të ketë perspektivë të ndritshme në shtetin më të ri, e të tjera shpresa si këto… më ka braktisur para pak vjetësh. Kur pashë kah po shkon shoqëria jonë. Kur pashë sa shpejt kjo shoqëri ju harroi. Kur pashë sa shpejt kjo shoqëri ka shlyer kujtimin tuaj dhe të dhjetëra mijëra viktimave tjera. Sa shpejt solidariteti e dhimbja e thellë ia lëshoi vendin një arrogance dhe mungese të paparë solidariteti ndër ne.

Sa shpejt gjithçka u reduktua në poza, fjalime, recitime, mendjemadhësi e rrena gjithfare një herë në motmot, në përvjetorët tuaj. Në ata përvjetorë që organizohen me pompë e bujë jo më për ju, sepse kujtimi për ju nuk bëhet me poza e me rrena, po duke e ndërtuar Kosovën, e cila lindi mbi gjakun tuaj të pafajshëm! Kur pashë që përvjetorët po organizohen nga një klasë njerëzish që kanë harruar shkrumbin në buzët tuaja, kur po iknit, atëherë e humba ngushëllimin e parë!

Shiu vazhdon të bie këndej në këtë shoqërinë tonë mjerane dhe ti, motër, vazhdon të buzëqeshësh nga fotografia. Sikur ta dije se si po sillemi ndaj jush, ndaj kujtimit për ju dhe ndaj Kosovës, ndoshta do të më kuptoje pse nuk kam ngushëllim për ju. Sepse, po ta them edhe një herë:

Motër, pas fyerjeve të ditëve të fundit, më fal, por më nuk kam ngushëllim për ju! Asnjë ngushëllim! Asnjë!

(Ky shkrim është botuar në janar të vitit 2015. AktivPress e risjell me rastin e 20 vjetorit të Masakrës së Abrisë, aty ku u masakruan 22 veta, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh e deri në 94 vjeçare)